Humbja e mostrave te Astrit Deharit, Gruda i PDK-së kërkon dorëheqjen e ministres Haxhiu

08 dhjetor 2022 | 17:05

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, në një konferencë për media ka kërkuar dorëheqjen e ministres Albulena Haxhiu, pas humbjes së mostrave të rastit Dehari në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ai ka thënë se kjo dorëheqje do t’i hapte rrugë një hetimi të pavarur në këtë rast.

“PDK-ja ka ndjekur me shqetësim raportimet në media dhe deklaratën e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu mbi zhdukjen e mostrave për rastin Dehari, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, pranë Ministrisë së Drejtësisë. Zhdukja e mostrave është përgjegjësi direkte e ministres Albulena Haxhiu, e cila e drejton Ministrinë e Drejtësisë, ku ndodhet edhe Instituti”.

“Kur zhduken mostrat, dëmtohen provat, dëmtohet drejtësia dhe pamundësohet zbardhja e rastit. PDK-ja kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si përgjegjësja kryesore dhe drejtuese e Ministrisë së Drejtësisë, pranë të cilës funksionon edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore”, është shprehur Gruda.

Më tutje, Gruda ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur asnjëherë qëllim që ta zbardhë të vërtetën e rastit “Dehari”, por ta përdorë atë për beteja politike.

“Fatkeqësisht, përdorimi politik i këtij rasti po vazhdon edhe tani kur ata janë në pushtet dhe kanë të gjithë mekanizmat shtetëror në duart e tyre për ta zbardhur të vërtetën e këtij rasti. Pas më shumë se dy viteve qeverisje dhe zero avancimi në rastin Dehari, ne dyshojmë që ministrja Haxhiu duke dashur të mbulojë paaftësinë e saj, por edhe në pamundësi të sigurimit të fakteve të pamohueshme për të dëshmuar një të vërtetë tjetër në lidhje me këtë rast, po manipulon me prova dhe situatën”, ka thënë Gruda.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stadiumi “Al Bayt” në Katar, pritet që të jetë i…