Humbja ndaj ‘Niklit’, e papranueshme për Ballkanin

24 gusht 2019 | 11:57

Liridon Fetahaj e ka paralajmëruar Feronikelin se nuk do ta ketë aspak të lehtë përballjen me Ballkanin që synon rezultat pozitiv në Suharekë.

Skuadra e Ballkanit ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të dalë e pamposhtur nga përballja me kampionen në fuqi të IPKO Superligës, Feronikelin.

Këtë lajm e ka konfirmuar sulmuesi Liridon Fetahaj të premten për “Epokën e re”. Ndeshja në mes të Ballkanit dhe Feronikelit zhvillohet sot (e shtunë) nga ora 17:00, në kuadër të xhiros së dytë në elitën e futbollit të Kosovës.

“Jemi përgatitur maksimalisht dhe synimi i Ballkanit në këtë ndeshje është rezultati pozitiv. E respektojmë Feronikelin sepse ka kualitet dhe është kampion në fuqi, por ne luftojmë për tri pikët e plota dhe cilido lojtar që do të nisë nga fillimi do ta japë maksimumin”, ka thënë Fetahaj, i cili në afatin kalimtar të verës është transferuar në Suharekë nga skuadra e Prishtinës, pasi nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Mirel Josa.

Ballkani luajti baras, pa gola, 0-0, në ndeshjen e parë ndaj Dukagjinit në Klinë, kurse Feronikeli e mposhti bindshëm në Drenas, Drenicën (4-1).

Synimi i kampionëve në fuqi është fitorja edhe në ndeshjen e dytë. Përparim Islami ka thënë për gazetë se Ballkani ka skuadër cilësore, por fitorja do t’i takojë Feronikelit.

“Kampionatin e kemi filluar ashtu siç e kemi parashikuar, kemi bërë një lojë mjaft të mirë dhe e kemi fituar ndeshjen me rezultat të thellë 4-1 ndaj Drenicës. Tash lojën e radhës e kemi me Ballkanin, një ekip mjaft i kompletuar, që ka bërë përforcime cilësore, po ashtu ka bërë ndryshime edhe në shtabin teknik. Loja do të jetë e vështirë, por ne do t’i qasemi lojës në mënyrën më serioze dhe në Suharekë udhëtojmë për tri pikë”, ka
thënë Islami.

Sot (e shtunë) zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Ferizajt dhe Gjilanit, kurse dy ndeshjet e tjera zhvillohen nesër (e diel).

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Adrijana…