Ideja për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, në dritën e burimeve arkivore amerikane

24 mars 2019 | 14:03

Prof. Dr. Ibrahim Gashi

Dokumente arkivore të deklasifikuara në dy-tre vitet e fundit, të cilat ndodhen në Arkivin Nacional të Shteteve të Bashkuara (National Archives and Records Administration – NARA) dhe në Bibliotekën e Presidentit Klinton (Clinton Presidential Library, Little Rock, Arkansas) hedhin dritë mbi politiken e Shtëpisë së Bardhë lidhur më zhvillimet në Kosovë gjatë gjysmës së dytë të vitit 1998 dhe idenë e ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare për të parandaluar spastrimin etnik dhe gjenocidin që po kryente Millosheviqi në Kosovë.

Se ideja e ndërhyrjes ushtarake kundër forcave të Millosheviqit në Kosovë ishte e hershme dhe jo vetëm pas dështimit të bisedimeve në Rambuje flet një dokument i dalë nga zyra e presidentit Klinton. Fjala është për bisedën e regjistruar telefonike, të datës 6 gusht 1998, midis presidentit Klinton dhe kryeministrit britanik Tony Blair. Biseda u zhvillua nga zyra ovale në Shtëpinë e Bardhë dhe zgjati 20 minuta (4:46 p.m -5:06 p.m). Në fakt në këtë bisedë është deklasifikuar vetëm pjesa e bisedës së Presidentit Klinton por jo edhe përgjigjet e Kryeministrit Blair.

Sigurisht që nga konteksti i vazhdimit të bisedës se Presidentit Klinton në masë të caktuar mësojmë se edhe qëndrimi i Blairit ishte aprovues përgjithësisht.

Pjesa e madhe e kësaj bisede iu kushtua situatës në Kosovë. Pas fjalive përshëndetëse rutinore midis dy burrështetasve presidenti Clinton iu drejtua kryeministrit Blair. “Ju thirra që të bisedojmë për Kosovën. Atje po behët gjithnjë më keq. Kryetitujt flasin se Millosheviqi po preferon zgjidhjen ushtarake. Forcat ushtarake serbe nuk po luftojnë vetëm militantët e shqiptarë, por po angazhohen në një fushatë sistematike kundër popullsisë civile. Mendoj se ne jemi afër një katastrofe të madhe humanitare”.  Presidenti Klinton më tej vazhdon “Millosheviqi po e bënë këtë i pafrikësuar nga kërcënimi i intervenimit të NATO-s, i bindur se NATO mund të veproi vetëm më rezolutë të OKB-së, për të cilën është i bindur se do ta pengoi Rusia. Unë mendoj, që së paku ne duhet ta bëjmë atë të mendoi përsëri. Në duhet të vazhdojmë planin që kemi filluar, të identifikojmë forcat dhe të bëjmë një formë të ultimatumit më të cilin do ta detyronim atë ta ndërpriste fushatën e tij dhe të ripërtërinte autonominë e Kosovës”.

Pjesa më e rëndësishme e kësaj telefonate është kur Presidenti Klinton i drejtohet bashkëbiseduesit “Ne duhet ta bëjmë të qartë, edhe pse duam ta marrim autorizimin nga OKB, ne mund ta bëjmë atë (ndërhyrjen) edhe pa të. E di që ju dalloni këtu por Albright ka folur më Cookin lidhur më pyetjen drejtuar KS të OKB-së sa është i domosdoshëm autoriteti i OKB-së”. Vazhdimi i bisedës ka të bëjë më pozicionin që do të mbante Rusia. Klinton vazhdonte më tej. Jam në kontakt çdo ditë më Bob Rubin. Jam i shqetësuar për situatën ekonomike në Rusi dhe lidhur më stabilitetin e qeverisë së Yeltsinit. Shëndeti i tij është i renduar dhe çdo ditë ka zëra lidhur më mundësinë e tij për të ruajtur rendin”.

“Ajo për të cilën jam i shqetësuar është se situate në Kosovë mund të përkeqësohet edhe më tej, shumë civil do të vdisnin dhe të tjerë do të ktheheshin në refugjatë. Nëse ne do ta fusnim Jelcinin në këtë marrëveshje, ai do të jetë i detyruar të abstenoj, sepse situate do të vështirësohej politikisht edhe më tepër për të në vendin e tij. Mbase ai mund të detyroj Primakovin të ushtronte vete duke e kthyer gjithë botën kundër tij, në kohën kur ai ka më së shumti nevojë për mbështetje nga komuniteti ndërkombëtar. Edhe pse do të ishte shumë më mirë ta kishim miratimin e OKB-së unë megjithatë jam shumë i shqetësuar nëse këtë çështje do ta sillnim për votim tani”. “Millosheviqi mendon se i ka duart e lira”, vazhdon Presidenti Klinton, “Unë bisedova më John Majer dhe ju keni sistem të ndryshëm lidhur më legalitetin atje. Një gjë që mendoj unë ne mund ta bëjmë, për të cilën mendoj se ka bazë: Atje kanë disa herë inkursione kufitare dhe kërcënime për vëzhguesit ndërkombëtar që mund t’i shtyj ata në vetë mbrojtje. Gjithashtu aty bëhet fjalë për kërcenim të Millosheviqit për paqen dhe sigurinë dhe pastaj edhe mizoritë dhe veprimet anti-humanitare”.

Pjesa e bisedës në vazhdim e konfirmon atë që të gjithë e kemi vërejtur, se iniciativa për sulme mbi forcat e Millosheviqit ka ardhur nga Presidenti Klinton. “Unë mendoj, shprehej Klinton, ne mundë të konstruktojmë një rast legal, por nëse unë nuk mund të ju bind juve për këtë, atëherë nuk kam asnjë shans me Chiracin dhe Kholin”.

Siç e thamë më lartë, për arsye të konfidencialitetit, pjesa e përgjigjeve te Kryeministrit Blair nuk figurojnë në dokument. Në vazhdim të bisedës së tij Presidenti Klinton i drejtohet Blairit. “Të ju pyes a nuk do të provojmë të kemi Chiracin dhe Kohlin që ta nënshkruajnë një ultimatum të cilit do t’ia drejtojmë Millosheviqit. Fjala panifikim mund të ndihmonte. Ta bindim Chiracin dhe Kohlin se rezoluta e OKB-së nuk është legalisht e domosdoshme”.

Nga ky dokument mund të kuptojmë se ideja dhe iniciativa për sulme të NATO-s kundër caqeve serbe erdhi nga Presidenti Klinton dhe ShBA-të, por u mbështet fuqishëm nga Britania e Madhe e pastaj edhe nga Franca dhe Gjermania. Federata Ruse atëbotë nuk ishte në pozicion që ta pengonte prandaj dhe fillimisht nuk doli haptas kundër kësaj ideje.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës në kuadër të përgatitjeve për…