Idrizi dhe Kastrati paralajmëron fitore ndaj Qipros

31 maj 2022 | 17:02

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Kampin Nacional në Hajvali për ndeshjen kundër Qipros që zhvillohet më 2 qershor në kuadër të Ligës së Kombeve.

Në këtë stërvitje përzgjedhësi Alain Giresse vendosi që seanca të jetë më shumë rigjeneruese dhe relaksuese. Pas stërvitjes për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit ka folur Blendi Idrizi, i cili është optimist për ndeshjet e muajit qershor, ndërsa ndaj Qipros pret fitore.  “Presim fitore kundër Qipros. Kemi stërvitur shumë mirë deri tash. Të hënën ishte stërvitja mjaft e mirë dhe intensive. Ajo ishte më shumë rigjenerim. Presim që në Qipro të bëjmë një lojë shumë të mirë. Është loja e parë dhe duhet të fitojmë sepse është shumë e rëndësishme për vazhdimësinë tonë në ndeshjet e tjera. Forma e mirë e lojtarëve në klubet e tyre është shumë e rëndësishme sepse atë kualitet ata e sjellin edhe në kombëtare”, ka thënë Idrizi.

Njëjtë sikurse Idrizi, edhe futbollisti tjetër “dardan”, Lirim Kastrati, është optimist se Kosova mund të marrë rezultate pozitive në ndeshjet e qershorit. “Pres rezultat pozitiv. Të gjithë jemi në formë të mirë, derisa kur je pjesë e ekipit kombëtar është një ndjenjë ndryshe. Besoj se do ta japim maksimumin për t’i treguar vlerat e shtetit tonë. Me punën serioze që jemi duke e bërë besoj se do të arrijmë sukses, ngase kemi kualitet dhe potencial”, ka thënë Kastrati.

Kosova më 2 qershor përballet me Qipron, kurse më 5 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Greqinë, derisa katër ditë më vonë përballet me Irlandën e Veriut. Më 12 qershor Kosova e zhvillon ndeshjen e fundit të muajit qershor si mysafire e Greqisë.

Zeneli: Më kanë munguar paraqitjet me Kosovën

Lajm i mirë për Përfaqësuesen e Kosovës është rikthimi në formacion i futbollistit më numër 10, Arbër Zeneli. Ky i fundit është shprehur i lumtur që pas një viti mungesë është rikthyer sërish në ekipin përfaqësues, teksa shpreson në cikël të suksesshëm të “dardanëve”. “Mund të presim ndeshje shumë të mira. Shpresoj ta nisim me fitore ndaj Qipros në ndeshjen e parë e pastaj ndaj Greqisë ta kemi stadiumin e mbushur me shikues. Më kanë munguar shumë paraqitjet me Kosovën. Jam kthyer në shkurt, pastaj pata rastin të vij në mars, por u lëndova sërish, ndërsa tani jam shumë mirë. Për Kosovën duhet ta japim maksimumin të gjithë. Duhet mos ta kursejmë veten për shtetin tonë, për shikuesit që vijnë dhe për të gjithë shqiptarët që janë gjithandej. Jam në formë të mirë, por çdo minutë më shumë për mua është e rëndësishme. Pres ndihmën e shikuesve kundër Greqisë dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka deklaruar Zeneli.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bujar Nishani, Presidenti i gjashtë i Republikës së Shqipërisë pas…