IKShPK-ja ia kthen përgjigjen Vjosa Osmanit, këto janë këshillat për deputetët

24 mars 2020 | 15:00

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka dërguar tashmë në Kuvendin e Kosovës një përgjigje lidhur me kërkesën që kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e pati lidhur me seancën për mocionin.

Në përgjigjen e IKShPK-së është treguar gatishmëria për të asistuar nëse vendoset që kjo seancë të mbahet.

Mirëpo, aty theksohet se ky institut nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve.

“IKShPK nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve shtetërore. IKSHPK është i gatshëm që me ekipin e tij gjatë tërë kohës në cilindo rast të ofrojë mbështetjen me ekipet profesionale për kujdesin maksimal në aplikim të kushteve të kërkuara të domosdoshme sipas protokollit dhe udhëzimeve”, është thënë në përgjigjen e IKShPK-së.

Një nga elementet që është theksuar në këtë letër, është se nëse mbahet seanca deputetët duhet të mbajnë distancën prej 2 metrash, siç edhe thuhet në vendimin e Qeverisë dhe rekomandimet e Institutit.

Ndërkohë nga Lëvizja Vetëvendosje po insistojnë se kjo seancë shkelë udhëzimet e Qeverisë për masa parandaluese. Deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, ka thënë para disa ditësh se Covid-19 i përcakton rregullat.

Në LDK-ja, ndërkaq, po vazhdojnë të mbesin prapa mocionit të mosbesimit. Dje kryetari Isa Mustafa e sot ministri i LDK-së, Besian Mustafa, kanë konfirmuar se janë prapa mocionit i cili tani është në procedurë në Kuvend.

Ndryshe, sipas nenit 100 të Kushtetutës, Kuvendi është përgjegjës të thërras seancën e jashtëzakonshme jo më larg se 5 ditë nga dita e deponimit të kërkesës për seancë të jashtëzakonshme për mocion mosbesimi. Kërkesa për thirrje të seancës nga LDK është dorëzuar të shtunën./Reporteri.net/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi anësor Adnan Januzaj në një intervistë për “Mundo Deportivo”…