Institucionet pa informata se nga po hyjnë shok-bombat në veri

23 qershor 2023 | 10:33

Në Policinë e Kosovës nuk dinë se prej nga po hyjnë mjetet shpërthyese, me të cilat dyshohet se po sulmohen kryesisht stacionet e saj, në komunat në veri.

Javëve të fundit, në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar disa incidente, ku janë përdorur ato që mendohet të kenë qenë shok-bomba.

Mbrëmjen e 22 qershorit, në Mitrovicën e Veriut pati dy shpërthime, ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka sugjeruar se ato mund të jenë shkaktuar nga lloji i njëjtë i armës.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë informacione për prejardhjen e këtyre mjeteve shpërthyese në njoftimet zyrtare, në të cilat thuhet se rastet janë duke u hetuar.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto mjete shpërthyese, që nuk konsiderohen shkatërruese, por që prodhojnë një zhurmë tejet të madhe që çorienton shqisat, futen ilegalisht në Kosovë, përmes shtigjeve të ndryshme malore.

“Padyshim që ato mjete janë sjellë në Kosovë në mënyrë ilegale, nëpërmjet rrugëve alternative, që gjenden në veri. Është fare e lehtë që këto gjëra të sillen, meqenëse është i vështirë kontrollimi i terrenit në atë pjesë”, është shprehur ai.

“Përveç kontrabandës së vazhdueshme që ekziston, individë dhe grupe të caktuara të krimit të organizuar, në bashkëpunim me forcat serbe, sjellin edhe këto pajisje, të cilat po i shqetësojnë banorët dhe në veçanti organet e sigurisë”, ka deklaruar Qalaj për REL-in.

Në veri të Kosovës, ka thënë Qalaj, ekzistojnë probleme me rendin dhe me ligjin.

Në veçanti, me situatën e krijuar aktualisht, sipas Qalajt, është bërë edhe më i vështirë kontrolli i vijës kufitare me Serbinë.

Pjesa në veri të Kosovës, që kufizohet me Serbinë, konsiderohet si një nga zonat më të prekura nga kontrabanda.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi në rrjetin social Twitter, më 7 qershor, ka thënë se në komunat veriore më 29 maj janë përdorur granata dore dhe shok-bomba, të prodhuara dhe të sjella nga Serbia.

Ndërkaq, për dy shpërthime me granata dore, që kishin ndodhur në dhjetor të vitit të kaluar, në Mitrovicë të Veriut, Policia e Kosovës kishte njoftuar se ishin përdorur mjete plasëse të prodhimit jugosllav.

Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë rrezik të madh për Kosovën hyrjen e këtyre mjeteve shpërthyese në mënyrë të jashtëligjshme në veriun e vendit, si dhe numrin e madh të armëve ilegale.

Profesori i Shkencave të Sigurisë në Kosovë, Avni Islami, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se për shkak të këtyre armëve dhe mjeteve tjera shpërthyese që janë në komunat në veri, siguria në atë pjesë të Kosovës është e brishtë, ndërsa dhuna mund të shpërthejë kurdo.

“Tendenca e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në veriun e Kosovës, është duke hasur në rezistencë agresive nga grupet kriminale atje, pikërisht duke përdorur armë të ndryshme, të cilat futen ilegalisht”, është shprehur Islami.

Hedhja e shok-bombave dhe përdorimi i armëve në veri të vendit tregon se grupet kriminale kanë një organizim të jashtëzakonshëm me shtetin e Serbisë, ka vlerësuar ai.

“Ato armë janë duke u përdorur nga njësi të specializuara të Serbisë, së bashku me grupet kriminale, dhe e gjithë kjo bën që shtrirja e rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës të jetë e vështirë”, ka thënë Islami për REL-in.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka publikuar…