Ish-mbreti spanjoll ia kthen shtetit 4 milionë euro taksa

26 shkurt 2021 | 13:24

Ish-mbreti i Spanjës, Juan Carlos, i cili në gusht u largua nga shteti pas disa skandaleve, është pajtuar që të paguajë 4 milionë euro si taksë, raportuan të premten gazetat “El Pais” dhe “El Mundo”.

Marrëveshja për pagesën e taksave prej 4 milionë eurosh të mbështetur në mallra dhe shërbime me vlerë prej 8 milionë eurosh, të cilat ai i ka pranuar. Sipas gazetës “El Pais”, pagesa do të bëhet si dëmshpërblim për fluturimet private nga të cilat ish-mbreti ka përfituar.

Në dhjetor të vitit të kaluar, ai pagoi 678.000 euro tek autoritetet e taksave, përfshirë shkallën e interesit dhe gjobat, pas dyshimeve për transaksione ilegale me kartelë bankare, shkruan “Reuters”.

Avokati i Carlosit nuk ishte i qasshëm për të dhënë koment, ndërsa edhe një zëdhënës i Pallatit Mbretëror refuzoi të komentonte për këtë çështje. Ai në të kaluarën vazhdimisht ka refuzuar të flasë rreth dyshimeve për korrupsion.

Prokurorët e Gjykatës Supreme të Spanjës kanë hapur disa raste hetimesh për marrëveshjet biznesore të Juan Carlosit, përfshirë ato që lidhen me kontratën për një tren të shpejtë në Arabinë Saudite.

E pyetur për këtë rast, zëvendëskryeministrja e Spanjës, Carmen Calvo, ka thënë se qeveria nuk mund të komentojë për asnjë raport të ndonjë qytetari me autoritetet e taksave, por shtoi: “Askush nuk lejohet që ta shkelë ligjin. Ky koment është edhe më përkatës sot”.

Juan Carlos është duke jetuar në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga koha kur u largua nga Spanja. Ai ka luajtur rol kyç për dërgimin e Spanjës drejt demokracisë, kur erdhi në fron pas vdekjes së diktatorit Francisco Franco më 1975, por popullariteti i tij ka rënë pas skandaleve financiare dhe familjare, që bënë që ai të largohet nga pozita.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, të premten ka nënshkruar memorandum…