Zelensky thotë se pozicionet e Ukrainës në fushën e betejës janë të forta

19 nëntor 2026 | 21:47

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të mërkurën se pozicionet e forcave të vendit të tij në fushën e betejës në luftën kundër Rusisë janë të forta, duke e përmendur mbrojtjen e dy qytezave të vijës së frontit nga sulmet ruse.

Duke folur në video-adresimin tradicional të mbrëmjes, Zelensky iu referua qyteteve të kontestuara, Dobropillia dhe Kostiantynivka, të cilat shtrihen në rajonin lindor të Donetskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rusia ka thënë muajve të fundit se forcat e saj i kanë kapur të dyja këto qytete. Megjithatë, Ukraina mohon se i ka humbur ato.

“Sa i përket situatës në vijën e frontit, pozicionet tona janë të forta dhe, ndonëse rusët janë duke bërë përpjekje shumë intensive për të avancuar drejt Dobropillias dhe Kostiantynivkas, ne po i shkatërrojmë pushtuesit” – tha Zelensky, duke iu referuar një raporti nga komandanti i ushtrisë ukrainase, Mykhailo Drapatyi.

Forcat ruse për një kohë të gjatë janë përpjekur që ta sigurojnë kontrollin në Kostiantynivka dhe e njoftuan kapjen e këtij vendbanimi në fillim të korrikut.

Kremlini propozoi javën e kaluar që Rusia dhe Ukraina të organizojnë një mision të përbashkët humanitar për t’i ndihmuar banorët që kanë mbetur ende në Kostiantynivka dhe u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të ndihmojnë në sigurimin e marrëveshjes me Kievin.

Zyrtarët rusë kanë sugjeruar se ky operacion do të ishte i ngjashëm me një mision të përbashkët që u zhvillua muajin e kaluar në qytezën Oleshky. Zelensky e refuzoi propozimin për Kostiantynivkan, pasi një gjë e tillë do t’ia mundësonte Rusisë avancimin përreth qytetit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se tërheqja e…