Ish-ushtaret e UÇK-së: Specialja dhe qarqe të caktuara po tentojnë ta njollosin luftës çlirimtare

13 korrik 2020 | 12:10

Propozimaktakuzën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ish-ushtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë duke e konsideruar si tendencë për të njollosur luftën për liri të popullit të Kosovës.

Elmije Plakiqi, që kishte shërbyer në Zonën e Pashtrikut gjatë luftës, ka thënë se propozimaktakuza ndaj Thaçit dhe Veselit e dëmton rëndë luftën e UÇK-së, derisa vet Gjykatën Speciale e quan si të padrejtë dhe selektive.

“Jo vetëm që e dëmton rëndë luftën e UÇK-së, e cila dihet që është një luftë e drejtë dhe çlirimtare, dhe në vend që të gjykohen ata që kanë bërë krime dhe gjenocid për afër dy dekada akuzohen, maltretohen dhe gjykohen ata që kanë bërë një luftë të drejtë dhe çlirimtare dhe që e kanë luftuar krimin dhe gjenocidin në Kosovë. Prandaj, kjo aktakuzë është e padrejtë jo vetëm për këta dy udhëheqës. Kjo është e papranueshme jo vetëm si UÇK, po edhe si popull i Kosovës dhe si komb shqiptar në përgjithësi”, ka thënë Plakiqi.

Edhe ish-ushtarja e UÇK-së, Sanije Rexha, që kishte shërbyer në Zonën Operative të Drenicës, propozimaktakuzën e ka quajtur si të padrejtë.

Ajo ka thënë se Gjykata Speciale me publikimin e propozimaktakuzës nuk ka akuzuar vetëm dy persona, por të gjithë historinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Si ushtare e UÇK-së mund të them lirshëm që kjo aktakuzë nuk iu ka bërë vetëm presidentit dhe kryetarit të PDK-së, por iu ka bërë të gjithë historisë sonë kombëtare, luftës së UÇK-së, heronjve kombëtarë dhe të gjithë popullit të Kosovës… Është një aktakuzë qëllimkeqe, një aktakuzë drejtpërdrejtë që i shërben shtetit kriminel serb… Nuk duhet të heshtim përballë këtyre aktakuzave që i bëhen UÇK-së, të thuash individuale kjo është absurde, këtu po akuzohet ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës, po akuzohen heronjtë tanë”, ka thënë Rexha.

Ajo ka theksuar se në mbrojtje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Thaçit dhe Veselit duhet të ngrihet i gjithë populli.

Ndërsa ish-ushtarja Fidajete Spahiu, e njohur me nofkën “Fortesa” që ka shërbyer në Zonën e Drenicës, është shprehur e bindur në pafajësinë e presidentit të vendit dhe liderit të PDK-së.

“Gjykata Speciale dhe qarqe të caktuara po mundohen ta njollosin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por nuk ka akuzë dhe gjykatë që mund ta dëmtojë dhe njollos atë, luftën që e ka bërë UÇK ishte e drejtë dhe e pastër dhe sado që të mundohen ta degradojnë ajo do të mbetet një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar. Unë personalisht jam krenare dhe e lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e UÇK-së… Gjykata Speciale është e padrejtë dhe unë mendoj që është edhe e njëanshme. Çdo aktakuzë e ngritur ndaj bashkëluftëtarëve tanë është e padrejtë dhe e pakuptimtë…, por unë jam e bindur në pafajësinë e presidentit Thaçi dhe kryetarit Veseli dhe të gjithë bashkëluftëtarëve tanë, që padrejtësisht po ballafaqohen me akuza të pavërteta”, ka thënë Spahiu.

Propozimaktakuza nga Zyra e Prokurorit Special të Gjykatës Speciale ndaj Thaçit e Veselit është bërë publike me 24 qershor, pak ditë para se të mbahej takimi Kosovë-Serbi në Uashington i cili pastaj u anulua. Presidenti i vendit Hashim Thaçi, sot do të paraqitet në Hagë për intervistim. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
38 persona të tjerë të infektuar me Covid-19 janë regjistruar…