Izmi Zeka i përgjigjet LDK-së për zgjedhje: Pritni njëherë sa t’ju kthehet lideri

06 prill 2018 | 12:22

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB) nga radhët e PDK-së, Izmi Zeka, u është përgjigjur zyrtarëve të LDK-së, të cilët po kërkojnë zgjedhje të parakohshme.

Ai ka thënë për “Epokën e re” se LDK-ja nuk paraqet forcë për të paracaktuar zgjedhjet në nivel Kosove.

“Ishte interesante ultimatumi i Vjosa Osmanit deputet e LDK-së për zgjedhjet. Si duket ka harruar që është opozitë dhe nuk paraqet forcë për të paracaktuar zgjedhjet në nivel Kosove. Kosova ka agjendë tjetër shtetërore dhe qytetarët e saj presin diçka tjetër prej shtetit”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se Kosova ka para vetes tema të mëdha, si liberalizimin e vizave që pritet të arrihet kah fundi i vitit, projektet e mëdha që ngjallin zhvillimin ekonomik dhe integrimet në institucionet ndërkombëtare.

“Po mundohem ta kuptoj zonjën e nderuar që së paku të bëhet temë për diçka në opinion dhe për tu faktorizuar në partinë e saj. Zgjedhjet kanë një kalendar dhe si të tilla ato mbahen kur shihet që është interes shtetëror e jo i partive politike dhe qejfeve të tyre. Po të pyetshin opozita çdo ditë do të kishim zgjedhje. LDK- ja është mirë të punoj si opozitë dhe të sjellët si opozitë dhe mos të dalë secili prej tyre individualisht për të përfaqësuar partin të cilës i përkasin. Pritni njëherë të kthehet lideri, respektivisht të shërohet, sepse të gjithë besoj që do të keni vend brenda strukturës së LDK-së. Shihemi në kohën e duhur por edhe në kalendarin e zgjedhjeve”, ka thënë Zeka.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pritja merr fund dhe tashmë Genaro Gattuso konfirmohet në stolin…