Jam i nderuar që e jetuam bashkë kohën e këngëve të tij dhe që bashkëpunuam, duke e sfiduar dhunën dhe terrorin serb

18 dhjetor 2021 | 17:49

Nga: ISA QOSJA, Regjisor

Njeriu në mbamendjen e vet arkivon kujtime të pashlyeshme dhe kujtime të tjera. Ndër kujtimet e mia të pashlyeshme padyshim janë ato të bashkëpunimit tim me mikun tim Ilir Shaqiri.

Ishin vitet e nëntëdhjeta, vite të vështira për Kosovën, kur unë dhe Iliri e filluam një bashkëpunim në fushën e interpretimit muzikor dhe skenik.

Nuk ishte e zakonshme kjo për mua, sepse nuk e kisha një përvoje të tillë më herët, por më të takuar Ilirin, që në bisedën e parë konstatuam se: na duhet diçka e re në këngën e tij, diçka më motivuese për të, dhe për dëgjuesit, gjegjësisht shikuesit. Poezia shqipe?!..Cila?!

Ajo më e fuqishmja, më shungulluesja: Naimi, Noli, Migjeni?! Dhe, konstatuam së “Fjalët e qiririt“ do flisnin qartë përmes zërit kumbues të tij, “Syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, po ashtu edhe “Kafshatë që s’kapërdihet” në periudhën e pakapërdishme kohore, duke e pyetur veten:a jemi në kahjen e duhur?! Këmbëngulnim së, po! Iliri menjëherë e kuptoi çka donim.

U bë kompozimi dhe orkestrimi i këtyre poezive dhe natyrisht Iliri më mrekulloi me muzikën që kishte krijuar dhe me zërin e tij që dridhte tokë! Erdhi koha që të vizualizoheshin këto këngë?! Për habinë time, Iliri edhe në rrafshin e të folurit, me një diksion të pastër, me gjeste, mimikë dhe interpretim, i artikuloi këto këngë për mrekulli.

Doli një video-film që filloi të shfaqet në Televizionin Shqiptar, disa herë në ditë. Dukej se, kjo ishte koha e “Fjalëve të qiririt” dhe Ilirit. Ai rrëmbeu vëmendjen e secilit me këngën, me zërin dhe paraqitjen e vet.

Por ky ishte vetëm fillimi dhe në këtë fillim unë pashë te Iliri një këngëtar të paarritshëm, një artist ekselent, një njeri të mrekullueshëm, një mik që më qëndroi pranë me miqësinë e tij përgjatë gjithë këtyre viteve, duke bashkëpunuar deri në ditët e sotme! Thuhet se, edhe miqësitë i kanë ndonjëherë orët e liga dhe kjo është më se e natyrshme, por te Ilir Shaqiri nuk pashë kurrë orë të ligë dhe as moment dobësie! Një burrë i fjalës, nderit dhe respektit! Një atdhetar dhe intelektual!

Tani, tridhjetë vite më pas, Ilirin e gjej në këngë, në libra, në poezi; i pandalshëm, i palodhshëm, i përkushtuar, motivues! Ai qëndroi vertikalisht edhe para luftës edhe gjatë luftës edhe tani pas luftës, kur shumë njerëz kanë bërë kthesa të mëdha për “rrugë” të shkurtra.

Tani kur i shkruaj këto pak fjalë për Ilir Shaqirin, ndihem jashtëzakonisht i nderuar që e jetuam bashkë kohën e këngëve të tij dhe që bashkëpunuam, duke e sfiduar me këngët e tij dhunën dhe terrorin serb.

Dikujt mund t’i duket e çuditshme, por me shumë përgjegjësi e them se: pa të dhe pa këngët e tij, ajo kohë nuk do ishte kohë e motivimit të njerëzve për rezistencë dhe kushtrim!

7 tetor, 2020

Prishtinë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brenda dy muajve, mbi 15 mijë persona janë prekur nga…