Jashari: Absurde që pas 21 vitesh shteti nuk ka arritur ta bëjë konservimin e kullave të Jasharëve

28 nëntor 2020 | 12:45

Për kryetarin e komunës së Skenderajt është absurde se si shteti 21 vjet pas luftës, nuk ka arritur ende të bëjë konservimin e kullave të Jasharëve. Nipi i komandantit Adem Jashari, Bekimi po thotë se këto kulla kanë mbetur nën mëshirën e fatit, meqë dita ditës priten të shemben. Kritika ka edhe për mos dokumentimin e krimeve dhe historisë së vendit, për çka tha se sot po përballet vendi me akuza te pabaza.

Jashari në seancën solemne të Kuvendit Komunal tha se nëntori është muaji më i ndritshëm dhe më i rëndësishëm i rilindjes kombëtare.

“Nëntori na kthen kujtesën 65 vite pas, kur në Prekazin tonë historik, lindi Komandanti Legjendar Adem Jashari, i cili tërë jetën e tij ia kushtoj vendit, duke filluar me kontributin e tij në demonstratat e vitit 1981, ku kërkesë e vetme në këto demonstrata ishte liria dhe pavarësia e vendit tonë Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, së bashku me shumë luftëtarë, trima e trimëresha anë kënd vendit luftuan pa ndalur kundër agresorit serb për të mundësuar që ne dhe gjeneratat e reja të jetojnë të lirë dhe të pavarur”, tha ai.

Baba Shaban, babushi Hamza dhe bali Adem, siç i quajti ai, tha se kishin vendosur që luftën për lirinë e Kosovës ta vazhdojnë deri në frymën e fundit. Ata me 5,6 dhe 7 mars së bashku me anëtarët e familjes dhe tërë lagjen Jasharaj luftuan kundër forcave serbe, për tri ditë rresht, deri në rënien e tyre heroike në altarin e Lirisë, për të mos vdekur kurrë.

Bekim Jashari tha se sa herë vjen nëntori nuk ka se si të mos kujtohet dalja e parë publike e UÇK-së, që ndodhi pikërisht në ditën e flamurit, me 28 nëntor.

Ai pati edhe kritika për institucionet, meqë sipas tij nuk është bërë sa duhet për dokumentimin e historisë së Kosovës.

“Masakrat ndaj civilëve, fëmijëve, grave, të rinjve e të moshuarve, maltretimet, përndjekjet, arrestimet, zhdukjet e vrasjet makabre janë dëshmi të mjaftueshme për të dëshmuar se kush ishte agresori dhe kush ka bërë krime në vendin tonë. Të gjitha këto vuajtje e persekutime të bëra nga shteti serb është dashur të dokumentohen, argumentohen e faktohen përmes ndërtimit të muzeut të gjenocidit, ruajtjes së gjurmëve të krimeve serbe dhe shkruarjes së teksteve të historisë, nga ata të cilët janë të thirrur për të bërë këtë, institucionet dhe Akademia e Shkencës dhe Artit”, shtoi ai

Jashari foli edhe gjendjen e kullave të Jasharajve, qe sipas tij kane mbetur nën mëshimin e kohës dhe ditës.

“Është absurde dhe e papranueshme që sot, 21 vite pas luftës ende shteti jonë nuk ka arritur të bëjë konservimin e kullave të Jasharajve të cilat kanë mbetur nën mëshirën e kohës dhe dita ditës rrezikohen të shemben”, tha ai.

Me këtë rast Bekim Jashari ka ndarë titullin qytetar nderi për humanistin, Halil Kastrati dhe kampionin në boks, Haxhi Krasniqi./ KP

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të premten, dy shtetas kosovarë janë ekstraduar nga Gjermania. “Nga…