Jep dorëheqje kryeministri i Libanit

10 gusht 2020 | 20:17

“Sot ne zbatojmë vullnetin e njerëzve në kërkesën e tyre për t’u kërkuar llogari atyre që janë përgjegjës për fatkeqësinë që rrinte e fshehur prej shtatë vitesh dhe dëshirën e tyre për të mësuar të vërtetën,” tha ai. “Përballë këtij realiteti, po njoftoj sot dorëheqjen e kësaj qeverie”

Kryeministri i Libanit Hassan Diab njoftoi të hënën dorëheqjen e qeverisë, në vazhdën e shpërthimit të 4 gushtit që ka nxitur protesta antiqeveritare dhe zemërimin publik kundër udhëheqjes së vendit.

Diab, tha në një fjalim televiziv, se shpërthimi i lëndës eksplozive të depozituar në portin e kryeqytetit gjatë shtatë viteve të fundit ishte “rezultat i korrupsionit të rrënjosur”.

“Sot ne zbatojmë vullnetin e njerëzve në kërkesën e tyre për t’u kërkuar llogari atyre që janë përgjegjës për fatkeqësinë që rrinte e fshehur prej shtatë vitesh dhe dëshirën e tyre për të mësuar të vërtetën,” tha ai. “Përballë këtij realiteti, po njoftoj sot dorëheqjen e kësaj qeverie”.

Nga shpërthimi i depove me më shumë se 2,000 ton nitrat amoni u vranë 158 njerëz, u plagosën më shumë se 6,000 dhe u shkatërruan pjesë të tëra të kryeqytetit Bejrut.

Shumë ministra të kabinetit, të formuar në janar me përkrahjen e grupit të fuqishëm Hezbollah që mbështetet nga Irani, kishin shprehur dëshirën për t’u dorëhequr.

Ministrat e informacionit dhe të mjedisit u larguan të dielën, ndërsa ajo e drejtësisë të hënën. Po ashtu dhanë dorëheqjen tetë ligjvënës të Parlamentit i cili do të mblidhet këtë javë.

Në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se zërat e popullit libanez duhet të dëgjohen.

“Është e rëndësishme që një hetim i besueshëm dhe transparent të përcaktojë shkakun e shpërthimit dhe të nxjerrë përgjegjësinë e kërkuar nga populli libanez,” tha Guterres në një konferencë humanitare për shpërthimin. Ai nuk specifikoi nëse hetimi duhet të kryhej nga autoritetet libaneze apo një komision i pavarur ndërkombëtar.

Të dielën, udhëheqësit botërorë premtuan gati 300 milion dollarë për ta ndihmuar Libanin të shërojë plagët e shpërthimit të së martës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se…