Jovanoviq: Mediat serbe në pronësi të Vuçiqit dezinformojnë sipas modelit rus të propagandës

19 korrik 2021 | 08:59

Në shtatë ditët e para pasi Kuvendi i Malit të Zi miratoi Rezolutën mbi Gjenocidin serb në Srebrenicë të Bosnjës e Hercegovinës, mediet në Beograd publikuan një mijë tekste me përmbajtje të rreme dhe dezinformuese.

Sipas Digital Forensic Center (DFC), mediet që janë pronësi të presidentit Aleksandar Vuçiq po e përdorurin një politikë të ndërhyrjes në punët e brendshme të Malit të Zi sipas modelit rus të propagandës, që bazohet në dezinformim dhe lajme të rreme.

Milan Jovanoviq nga DFC thotë se, pas miratimit të Rezolutës, një valë dezinformimi u iniciua nga një numër i madh i medieve nga Serbia, por edhe nga mediet pro-serbe nga Mali i Zi.

“Duke pasur parasysh numrin e tabloideve dhe teksteve që dalin nga kuzhina e tyre propaganduese, është shumë e vështirë të përcaktohet numri i saktë i teksteve dezinformuese, por të them të drejtën, kjo nuk ka të bëjë me një krijimtari të lakmueshme. Përkundrazi, të njëjtat rrëfime janë ricikluar që nga miratimi i Rezolutës. Të udhëhequr nga kjo matricë, dita-ditës ne lexojmë tituj dhe tekste identike ‘copy-paste’, ku malazezët krahasohen me ustashët [Lëvizja Revolucionare e Kroacisë]”, tha Jovanoviq për Pobjeda.

Menjëherë pas miratimit të Rezolutës, ekipi i DFC-së regjistroi pothuajse 2,500 artikuj rreth këtij dokumenti në mediet rajonale, nga të cilat 1,484 ishin nga media serbe. Kuptohet, media boshnjake i kushtoi vëmendje të madhe temës, duke botuar 575 artikuj, ndërsa mediet malazeze kishin 314 lajme.

Jovanoviq deklaron se përveç medieve, politikanë nga Serbia dhe Mali i Zi e përdorën dezinformimin në diskutimin e tyre ditor.

“Përfaqësuesit e Frontit Demokratik (DF), të cilët votuan kundër Rezolutës, gjithashtu besojnë se miratimi i këtij dokumenti e bënë popullin serb përgjegjës për gjenocidin. Sidoqoftë, faktet tregojnë qartë se kjo nuk është e vërtetë. Meqenëse Rezoluta dënon çdo përpjekje për t’i atribuuar përgjegjësinë serbeve, boshnjakëve dhe kroatëve apo ndonjë populli tjetër për gjenocid, lajmet e rreme dhe dezinformatat nga kuzhina e Beogradit mund t’i referohen vetëm trillimeve të veta. Për çështjen e Rezolutës, presidenti i Komitetit të Dumës ruse, Sergei Gavrilov gjithashtu dha komentin e tij, i cili është i njëjtë me atë të DF-së”, thotë ai.

Bota serbe dhe dezinformimi

Disa sondazhe të DFC-së tregojnë nivelin dhe mënyrën se si mediet në Beograd kanë raportuar mbi zhvillimet në Malin e Zi.

Sipas Jovanoviqit, Serbia po e përdoron modelin rus të propagandës, e cila bazohet në dezinformim dhe lajme të rreme.

“Nuk kishte ndonjë reagim domethënës nga Bashkimi Evropian ndaj fushatës me karakter gjithëpërfshirës që Serbia kreu kundër Malit të Zi. Pas zgjedhjeve, artileria mediatike bëri një pushim të shkurtër, por margjinalizimi politik dhe pakënaqësia e ekspozuesve të presidentit Vuçiq në Mal të Zi, ashtu sic pritej i shndërroi ata në sulmues online”, përfundon Jovanoviq.

DFC thotë se tabloidët e Beogradit po e përdorin Rezolutën si fushatë negative ndaj turizmit malazez.

Sezonin e kaluar, lajtmotivi ishte mbyllja e kufijve vetëm për serbët, gjë që është e pasaktë, sepse Mali i Zi mbylli kufijtë për të gjitha vendet që kanë më shumë se 25 të infektuar me COVID-19 për 100 mijë banorë për arsye epidemiologjike. /RTK/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Anglia ka hequr të hënën pothuajse të gjitha kufizimet për…