Maqedonci: ‘Triumfi Dardan’ dëshmon përgatitjen dhe profesionalizmin e kadetëve të FSK-së

27 tetor 2026 | 12:40

Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përmbyllur me sukses garën ndërkombëtare “Triumfi Dardan”, e cila këtë vit ka shënuar pjesëmarrjen më të madhe deri më tani, me 40 oficerë kadetë nga shtetet anëtare të NATO-s.

Gjatë garës, kadetët kanë përshkuar 52 kilometra në terren të vështirë, duke bartur pajisje me peshë prej 35 kilogramësh dhe duke realizuar pesë misione ushtarake brenda 22 orëve pa ndërprerje.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se gara ka dëshmuar përgatitjen, qëndrueshmërinë dhe aftësitë profesionale të liderëve të ardhshëm ushtarakë.

“Ndërkombëtarizimi i Qendrës për Studime Universitare mbetet një nga prioritetet tona në kuadër të avancimit të edukimit ushtarak. Përmes marrëveshjeve me akademi prestigjioze, bursave dhe pjesëmarrjes në aktivitete ndërkombëtare, po krijojmë mundësi të reja për zhvillimin profesional të kadetëve tanë. Përgëzoj komandanten e QSU-së, major Mimoza Budeci, stafin dhe të gjithë kadetët për organizimin dhe përfaqësimin dinjitoz, duke dëshmuar edhe një herë se FSK-ja po konsolidohet si një forcë profesionale dhe partnere e besueshme ndërkombëtare”, ka shkruar Maqedonci në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim…