Kadri Kastrati për tensionet në veri: Kisha serbo-ruse është lidere e të gjitha këtyre trazirave

08 nëntor 2022 | 17:31

Në veri u organizua protestë nga serbët, të cilët kërkojnë formimin e Asociacionit. Protesta u mbajt në sheshin Car Llazari në Mitrovicë të Veriut, ku serbët u mblodhën për të shprehur pakënaqësinë për veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me qortimin e banorëve për targat serbe KM.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati në një intervistë dhënë për kosovalive, thotë se në të gjitha këto tensione të veriut mund të ketë gisht edhe Rusia së bashku me kishën serbo-ruse që vëmendja të zhvendoset në Ballkanin Perëndimor nga lufta në Ukrainë.

“Kisha serbo-ruse është lidere e të gjitha këtyre trazirave që po shkaktohen jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, në Malin e Zi, edhe në Ukrainë. Kisha ka dëshmuar në të kaluarën që i ka paraprirë dhe e ka dirigjuar politikën që të vijë deri në këto tensione. Për këtë arsye Rusia, përmes satelitit të saj Serbisë, është e interesuar që ta bart në Ballkanin Perëndimor krizën edhe konfliktet vetëm për ta kthyer vëmendjen nga Ukraina”, ka thënë Kastrati.

Tutje Kastrati ka rekomanduar për Qeverinë Kurti që të investojë më shumë në policinë dhe ushtrinë e Kosovës, në paisje dhe në mirëqenien e tyre.

“Siguria në gjithë territorin e Kosovës, është e mirë nuk mund të themi që është e brishtë por unë i rekomandoj Qeverisë së Kosovës që të investojë në ushtri. Jo vetëm në pjesë të armatimeve por edhe në mirëqenien e ushtarëve, në paisje individuale, në transportin e tyre. Duhet të investojë edhe në polici, më pas edhe të kërkojë nga ta”, ka theksuar Kadri Kastrati.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri të…