Kamberi kërkon nga Serbia vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

05 korrik 2022 | 16:47

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi ka bërë me dije se janë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve që janë mbajtur më 3 prill në Serbi.

Mirëpo, Kamberi ka pasur edhe një kërkesë për shtetin serb. Ai ka thënë se “themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian”.

Kamberi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës do të komunikojnë me SDA-në nga Sanxhaku për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të krijuar një grup parlamentar.

Në ditët në vijim, Kamberi ka thënë se do të paraqesin edhe kërkesat për Qeverinë e re të Serbisë.

Postimi i plotë i Kamberit:

THEMELIMI I KUVENDIT DHE QEVERISË SË RE TË SERBISË TË SHOQËROHET ME VENDOSJEN E SANKSIONEVE NDAJ RUSISË, NË PËRPUTHJE ME POLITIKËN E JASHTME TË BASHKIMIT EVROPIAN

Sot, Komisioni Republikan Zgjedhor në Beograd ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit 2022 në Serbi.

Partia kryesore në pushtet, Partia Progresiste e Serbisë (SNS) e Presidentit Vuçiq do të ketë 120 mandate nga gjithsej 250. Partneri i saj tradicional, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit – 31 mandate.

Subjektet me vokacion të hapur të ekstremit të djathtë tashmë kanë bashkërisht 35 deputetë.

Listat që garuan si pakica kombëtare vetëm 13 deputetë.

Si Koalicion i Shqiptarëve të Luginës jemi në komunikim me ish-partnerin tonë të legjislaturës së kaluar, Partinë e Aksionit Demokratik (SDA) nga Sanxhaku, për ta vazhduar bashkëpunimin dhe për ta zgjeruar me partnerë të tjerë të mundshëm drejt themelimit të një grupi parlamentar.

Ditëve në vijim do t’i paraqesim kërkesat tona konkrete për Qeverinë e re të Serbisë.

Siç jemi zotuar, jo për t’u bërë pjesë e koalicionit të ri qeveritar, por si parakusht për ta votuar ose jo kabinetin e ri qeveritar.

Këto kërkesa do t’i bëjmë publike para mbajtjes së seancës plenare.

Themelimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re të Serbisë duhet të shoqërohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ky vendim është në interes të paqes, demokratizimit, zhvillimit e stabilitetit të vendit dhe rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Heidi Lushtaku ka kurorëzuar me martesë lidhjen e saj me…