Kampionia dhe nënkampionia kërkojnë fitore në derbi

31 gusht 2019 | 10:37

Kampioni dhe nënkampionia në fuqi e ndajnë mejdanin sot (e shtunë) në Drenas. Feronikeli ka paralajmëruar se do t’u rikthehet fitoreve në këtë ndeshje derbi, por edhe Prishtina ka ambicie të rikthehet në kryeqytet me pikët maksimale.

Derbi i javës së tretë në IPKO Superligë zhvillohet sot (e shtunë) dhe përballen kampioni në fuqi, Feronikeli dhe nënkampionia, Prishtina. Sulmuesi me përvojë të madhe, Astrit Fazliu, ka bërë me dije për gazetë se pas humbjes nga Ballkani në xhiron e kaluar, “Nikli” synon fitore në këtë ndeshje derbi.

“Në fundjavë na pret një ndeshje e vështirë ndaj Prishtinës dhe normalisht se përgjigjja më e mirë për humbjen në ndeshjen e fundit është fitorja në këtë derbi. Tri pikët nuk do të jenë të lehta për faktin se Prishtina ka skuadër të mirë, por angazhimi nuk do të mungojë për fitore”, ka thënë Fazliu, i cili rikthehet pas mungesës në ndeshjen e kaluar.

Optimist për fitore është shprehur edhe sulmuesi i Prishtinës, Ahmed Januzi, i cili ka thënë për faqen zyrtare të klubit se skuadra “bardhekaltër” nuk ia ka frikën Feronikelit dhe asnjë skuadre tjetër. “Jemi stërvitur këto ditë me përqendrim maksimal duke dashur t’i eliminojmë gabimet që i kemi bërë edhe me Flamurtarin dhe po shpresoj që për të shtunën do të jemi gati. Normalisht, përball do të kemi një kundërshtar shumë të fortë, por nuk i frikësohemi as Feronikelit dhe asnjë skuadre tjetër. Ne jemi vetë pretendentë dhe udhëtojmë për pikë maksimale, por normalisht gjithmonë duke ia lënë fushës”, ka thënë Januzi, i cili është rikthyer te Prishtina pas një viti që kaloi në skuadrën e Llapit.

“Megjithëse nuk fituam ndaj Flamurtarit, shenjë e mirë ishin se kishim raste të shumta, keq që nuk i shfrytëzuam, por kjo nuk mund ndodh gjithmonë dhe rastet kur topi nuk hyn në portë, nuk ndodh shpesh. Kjo na jep optimizëm, sepse do të ishte krejtësisht ndryshe sikur mos të krijonim, sidomos nga loja që e praktikojmë apo e stërvitim. Pra, besoj shumë se nga ndeshja e ardhshme dhe nga ndeshja në ndeshje do të jemi edhe më të përqendruar para portës duke rritur më shumë përqindjen e konkretizimit të golave”, ka deklaruar Januzi.

IPKO SUPERLIGA

Dukagjini – Drita 0-4

Të shtunën takohen:
16:00 Feronikeli – Prishtina
16:00 Llapi – Ballkani
16:00 Flamurtari – Ferizaj

Të dielën takohen:
16:00 Trepça ’89 – Drenica
16:00 Gjilani – Vushtrria

LIGA E PARË

Të shtunën takohen:
Istogu – Onix
Liria – KEK-u
Arbëria – Ramiz Sadiku
Vitia – Besa
Të dielën takohen:
Vllaznia (P) – Malisheva
Vëllaznimi – Drenasi
Dardana – 2 Korriku
Trepça – Ulpiana (shtyhet)
(Të gjitha ndeshjet zhvillohen nga ora 16:00)

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Blerand Stavileci thotë se misioni i Kadri Veselit dhe PDK-së…