Kancelari i Gjermanisë: Do të angazhohem me këmbëngulje për liberalizimin e vizave për Kosovën

04 maj 2022 | 16:33

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për medie.

Në këtë konferencë, Scholzi ka thënë se me Kurtin kanë diskutuar për shumë tema, derisa ka paralajmëruar vizitë në Prishtinë.

Scholzi është shprehur i lumtur me bashkëpunimin e dy qeverive, duke thënë se “do ta forcojë pavarësinë energjetike dhe do ta përmirësojë cilësinë e ajrit”.

Kancelari gjerman ka përmendur edhe liberalizimin e vizave për Kosovën si çështje shumë e rëndësishme për të cilën ai ka bërë me dije se angazhohet vazhdimisht.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet tani edhe në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale e ka fiksuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit. Për këtë unë angazhohem me këmbëngulje në Bashkimin Evropian, në biseda me partnerët – angazhohem me këmbëngulje”, ka thënë ai.

Më tutje, Scholzi ka përmendur bashkëpunimin rajonal duke thënë se “me Procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë rajon”.

Ai ka përmendur edhe katër marrëveshje të rëndësishme që ka thënë se do të nënshkruhen këtë vit në kuadër të Procesit të Berlinit.

“Projekti më i rëndësishëm është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal”, ka thënë ai, duke paralajmëruar marrëveshje për lëvizjen e lirë të personave dhe njohjen e diplomave profesionale.

“Siç e shihni, patëm shumë tema, dhe gëzohem që ato do t’i vazhdojmë në një vizitë në Prishtinë”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për zgjerim dhe fqinjësi, Oliver…