Kandidati shqiptar i bindur për fitore në Tuz

03 mars 2019 | 20:01

Tuzi për të parën herë i është drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e komunës e kjo është konsideruar një ditë historike për shqiptarët që banojnë në Malin e Zi.

Nikë Gjeloshaj është kandidati i përbashkët i koalicionit të tre partive: Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike Shqiptare dhe Unioni Demokratik Shqiptar. Koalicioni “Forumi shqiptar”, gjatë fushatës garoi me parullën “Malësia na bashkon” .

Në rast fitoreje, Gjeloshaj do të udhëheqë komunën e dytë me shumicë shqiptare në Mal të Zi, pas asaj të Ulqinit. “Qëllimi unë është që kjo të jetë një ditë feste për malësinë, pasi i cilësojmë si historike këto zgjedhje”, tha Gjeloshi.

Ndërkohë shumë shqiptarë nga diaspora u kthyen në vendlindje për të votuar, në mënyrë që sic thonë ata shqiptarët të jenë zot në komunën e tyre.

“Kam ardhur nga jashtë, vetëm për të votuar, pasi më pëlqeu fakti që partitë shqiptare u bashkuan nën moton ‘Malësia na bashkon’ dhe besoj se do t’ia dalim të fitojmë”, shprehet një votues.

“Fitorja e parë, është bashkimi i partive shqiptare”, shprehet një tjetër votues, që ka ardhur nga jashtë, për të votuar sot.

Procesi ka vijuar i qetë, ndërsa deri në orën 18:00, kanë ushtruar të drejtën e votës rreth 59.6 % e më tepër se 12 mijë shqiptarëve e malazezëve, që kanë të drejtë vote në këtë komunë.

Gjithashtu, është publikuar edhe një video, nëpërmjet të cilës shfaqet një malazez, që pretendon se është paguar 50 euro, për të votuar partinë e Milo Gjukanoviçit.

Për Top Channel foli edhe kandidati shqiptar për të kryesuar Komunën e Tuzit, Nikë Gjeloshaj, i cili falënderoi gjithë shqiptarët për mbështetjen dhe u shpreh i bindur në fitore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina e ka turpëruar Rahovecin në “Mizahir Isma” për ta…