Karateistët krenohen me medaljet, paralajmëron rezultate edhe në Botëror

10 korrik 2019 | 07:19

Nëntë medaljet e fituara në Kroaci kanë bërë që të gjithë në Përfaqësuesen e Kosovës të shfaqen të kënaqur. Pas këtij suksesi dhe punës së palodhshme që po bëhet nga karateistët e rinj paralajmërohen se medaljet do të rrëmbehen edhe në Kampionatin Botëror.

Karateistët e rinj të Kosovës kanë shkëlqyer në Kupën e Botës dhe ligën e të rinjve që është mbajtur në Umag të Kroacisë, pasi kanë rryer plot nëntë medalje. Nga medaljet e fituara tri ishin të arta e gjashtë të bronzta. Pjesëmarrëse ishin 69 shtete me 1 155 garues dhe 1 206 paraqitje, kurse 70 shtete në ligën e të rinjve me 2 500 garues dhe 2 578 paraqitje.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës (FKK), Nazmi Gashi, të martën në konferencë për medie ka thënë se ky është një sukses i madh për Kosovën, pasi konkurrenca ishte mjaft e fortë. “Patëm paraqitje dhe prezantim shumë të mirë të Kosovës ku edhe fituam 9 medalje, 6 prej tyre të bronzta dhe 3 të arta. Luftërat ishin të vështira, por sukseset e mëdha”, ka thënë Gashi, i cili ka shfaqur brengën se Përfaqësuesja e Kosovës u përballë edhe një herë tjetër me probleme financiare. “Jemi përballur me probleme financiare si zakonisht, kishim vonesë në pagesa. Kjo garë u realizua me ndihmën e kryetarit të Federatës, donatorëve dhe shokëve tanë”, ka shtuar ai.

Në konferencë për medie foli edhe përzgjedhësi Isak Curri, i cili është shprehur i kënaqur me suksesin e karateistëve të Kosovës në Kroaci, kurse ka shprehur optimizëm se edhe në Kampionatin Botëror, i cili mbahet në tetor, do të korrin suksese të tjera.

“Sportistët tanë treguan që kanë punuar shumë me trajnerët, kurse ne si federatë kemi bërë gjithçka që sportistët të përgatiten fizikisht dhe psikikisht për këtë nivel garash. Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e tyre. Këta treguan karakter të fortë. Besojmë shumë se në Kampionatin Botëror që do të mbahet në tetor do të kthehemi me medalje. Trajnerët botërorë kanë dhe lëvdata, kurse sportistët tanë me punën e trajnerëve të tyre u tregojnë të gjithëve se jemi duke punuar”, ka deklaruar Curri.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë se deklarata e…