KDI-ja: 54 për qind e qytetarëve mendojnë se asociacioni e cenon sovranitetin

29 qershor 2022 | 11:28

54 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe e cenon sovranitetin e shtetit.

Kështu kanë treguar rezultatet e një ankete të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Në këtë anketë janë intervistuar mbi 2 mijë qytetarë nga Kosova dhe Serbia.

Violeta Haxholli nga KDI-ja ka thënë se qytetarët serb janë shfaqur më skeptikë ndaj procesit integrues të BE-së.

Haxholli ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zhvillojë një dialog me komunitetin serb që t’i integrojë ata.

“Kërkojmë që qeveria e Kosovës të zhvillojë një dialog me komunitetin serb që t’i integrojë në këtë aspekt. Qytetarët e Serbisë janë më skeptik për këtë dialog dhe më fajësues ndaj BE-së dhe kemi parë se këta qytetarë nuk po përfitojnë dhe nuk janë të kënaqur me rolin e BE-së dhe janë shumë skeptik për mbylljen e marrëveshjes”, ka thënë Haxholli.

Më tutje, ajo ka prezantuar disa nga pyetjet e parashtruar në anketë, sipas të cilave mbi 49 për qind e qytetarëve të Kosovës dhe mbi 56 për qind e atyre në Serbi, mendojnë që raportet në mes të dy vendeve kanë mbetur të njëjta pavarësisht dialogut.

“Në Kosovë 49.3 për qind e anketuesve mendojnë se kanë mbetur të njëjta pavarësisht procesit të dialogut, ndërsa në Serbi 56.5 e respodentëve e mendojnë të njëjtën përgjigje se dialogu nuk i ka bërë marrëdhëniet as më të mira e as më të këqija”, ka thënë Haxholli, duke shtuar se mbi 50 për qind e të intervistuarve në Kosovë mendojnë se nga dialogu po përfitojnë partitë politike në Serbi.

“Në Kosovë 51.4 për qind mendojnë se partitë politike në Serbi mendojnë se po përfitojnë prej dialogut, ndërsa në Serbi 30 për qind e qytetarëve nuk e dinë se kush po përfiton nga dialogu mes dyja vendeve. Këtu vetëm 11 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se po përfitojnë nga dialogu, respektivisht vetëm 7 për qind e qytetarëve në Serbi deklarojnë se po përfitojnë nga dialogu Kosovë- Serbi”, është shprehur Haxholli.

Sipas rezultateve 49 për qind e qytetarëve në Kosovë mendojnë se pavarësisht dialogut, marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë mbetur të njëjta.  Ndërsa kështu mendojnë edhe 56 për qind të serbëve të anketuar, sipas hulumtimit të KDI-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi i dytë i besimtarëve nga Kosova ende nuk janë…