KDI-ja kërkon ndëshkimin e deputetëve që nuk marrin pjesë rregullisht në seanca

17 maj 2023 | 15:43

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në një analizë të publikuar të mërkurën ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe nga Kryesia e Kuvendit që t’i gjobisin në mënyrë të rregullt deputetët të cilët nuk marrin pjesë në seanca.

Në analizën e KDI-së është thënë se mungesa e kuorumit në seanca është duke penguar përmbushjen e funksionit të këtij institucioni.

“Ky problem, tashmë kronik, po e stërngarkon agjendën e Kuvendit, pasi pikat të cilat nuk po arrijnë të miratohen në një seancë po barten në seanca tjera. Për pasojë, jo rrallëherë rendi i ditës së një seance të vetme përmban 30 deri 60 pika për shqyrtim. Vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti, tri seanca janë ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa nuk ka pasur kuorum për votim në shtatë seanca. Nga praktika e ndërprerjes së seancave, tash e dy javë Kuvendi ka shkuar një hap tutje duke mos organizuar fare seanca për shkak të mungesës së kuorumit. Me mungesë të kuorumit janë përballur edhe komisionet parlamentare. Vetëm gjatë sesionit pranveror kanë dështuar pesë mbledhje të komisioneve si shkak i mungesës së kuorumit. Deputetët që kanë munguar kanë qenë nga pozita dhe opozita ndërsa si arsye herë janë dhënë udhëtimet e deputetëve, por shpesh herë arsyet nuk kanë qenë të ditura. Kur analizohen statistikat e pjesëmarrjes së deputetëve që kur ka filluar sesioni pranveror del se në çdo seancë në listat e nënshkrimeve janë të evidentuar mesatarisht 90 deputetë. Me përjashtim të një seance gjatë muajit prill ku janë evidentuar vetëm 46 deputetë”, është thënë në analizën e KDI-së.

Më tutje, KDI-ja ka thënë se papërgjegjësia dhe joserioziteti është edhe më i rëndë kur merret parasysh fakti se 40 për qind e deputetëve aktualë janë të zgjedhur për herë të parë.

“Papërgjegjësia e deputetëve për të marrë pjesë rregullisht në seanca, rrjedhimisht për ta përmbushur funksionin si të zgjedhur, është faktori primar. Kjo është theksuar edhe nga ana e kryetarit të Kuvendit gjatë seancës së mbajtur me 19 prill. Ai ka deklaruar se “Me këtë sjellje të papërgjegjshme të deputetëve, kjo legjislaturë mendoj se nuk e meriton të vazhdojë”. Deklarata e lartpërmendur e kryetarit të Kuvendit dëshmon se deputetët të cilët po mungojnë në seanca nuk e kanë njoftuar Kryetarin apo zëvendëskryetarin për arsyet e mungesës së tyre ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit. Papërgjegjësia dhe joserioziteti i deputetëve është edhe më i rëndë nëse kujtojmë faktin se në këtë legjislaturë, 40% e deputetëve janë zgjedhur për herë të parë. Se deputetët e kanë obligim pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit e ka interpretuar përfundimisht Gjykata Kushtetuese, në rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit lidhur me zgjedhjen e Presidentit i datës 22 shkurt 2011. Aty Gjykata ka theksuar se të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës, Ligjit për deputetët, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të sjelljes të marrin pjesë në seancat plenare të Kuvendit dhe të përkrahin procedurat që parashihen aty, por mbi të gjitha, një obligim vis-a-vis për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata”, është thënë në këtë analizë.

KDI-ja ka përmendur edhe rastin e Listës Serbe, e cila ka bojkotuar punimet që nga viti kaluar, ndonëse kanë ardhur deputetët e rinj të kësaj partie për t’u nënshkruar në një seancë pasi i janë afruar afatit gjashtëmujor të mospjesëmarrjes që do të rezultonte me humbjen e mandatit.

Në këtë kontekst, KDI-ja ka theksuar se me ligj parashihen ndëshkimet.

“Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit duhet të aplikojnë në mënyrë të rregullt ndëshkimet, sipas legjislacionit në fuqi për deputetët të cilët nuk marrin pjesë në punimet e Kuvendit”, është në analizën e KDI-së.

KDI-ja ka vlerësuar se ka jotransparencë nga ana e Kuvendit në lidhje me deputetët që mungojnë dhe të atyre që votojnë.

“Mungesa e votimit elektronik po e cenon funksionimin transparent, por edhe llogaridhënien e Kuvendit. Kështu, vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve, i shprehur nëpërmjet votimit individual mbetet i panjohur për qytetarët, meqë Kuvendi nuk po e publikon informatën se si secili deputet ka votuar lidhur me pikat e rendit të ditës, ashtu siç parashihet me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, është thënë në analizën e KDI-së.

Në mënyrë që të rritet transparenca dhe llogaridhënia e Kuvendit dhe e deputetëve individualisht, KDI-ja ka kërkuar nga Kuvendi, që në një afat sa më të shpejtë të mundshëm ta rikthejë votimin elektronik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka…