KDI-ja publikon indeksin vjetor të transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022

24 maj 2023 | 11:11

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me Transparency International Slovakia dhe mbështetjen financiare të SlovakAid ka publikuar sot Indeksin e Transparencës për Qeverisjen Komunale për vitin 2022.

Komunat janë vlerësuar në 87 indikatorë për tetë shtylla: 1) transparenca në shpenzimet publike përmes prokurimit publik, 2) transparenca buxhetore, 3) transparenca në grantet dhe subvencionet komunale, 4) përfshirja e qytetarëve në vendimmarrjen komunale, 5) qasja në dokumente publike, 6) përgjegjshmëria e komunave për të adresuar risqet e korrupsionit dhe konfliktin e interesit, 7) menaxhimi i pronës komunale, si dhe 8) transparenca e ndërmarrjeve dhe organizatave publike në pronësi të komunave.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, gjatë prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit tha se është për t’u vlerësuar fakti se komunat nga viti në vit po dëshmojnë se janë më të përgjegjshme në publikimin e informatave dhe dokumenteve për publikun, duke shënuar rritje të nivelit të transparencës nga 56% në vitin 2021 në 68% në vitin 2022, megjithatë, uebfaqet e komunave po vazhdojnë të jenë shpesh të paqasshme si rezultat i problemeve teknike.

Sipas saj, kjo i zbeh përpjekjet e komunave për transparencë, ndërkohë që i dekurajon qytetarët të qasen në informacione dhe të kërkojnë llogaridhënie nga komunat e tyre.

Ajo ka theksuar se për shkak që nuk po gjendet një zgjidhje për të standardizuar emërtimin dhe publikimin e dokumenteve publike, qytetarët e kanë të vështirë të arrijnë të gjejnë informacionin e kërkuar për një kohë të shkurtë në uebfaqe.

Në publikim theksohet se iniciativa e KRPP-së që të ndërlidhë njoftimet e komunave lidhur me shpalljen e tenderëve dhe dhënien e kontratave me platformën eProkurimi ishte faktori kryesor që ndikoi në rritjen e transparencës në politikat e prokurimit publik. Megjithatë, duhet të bëhen përpjekje nga pushteti lokal për të rritur transparencën në raport me ndërmarrjet publike që menaxhohen nga komunat, me theks krijimin e instrumenteve për mbrojtjen e integritetit dhe raportimin e sjelljeve joetike.

Po ashtu kërkohet që komunat të dalin me ide e forma më inovative për të rritur pjesëmarrjen e publikut në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes. Katër komunat në veri të Kosovës nuk kanë publikuar asnjë dokument në uebfaqet zyrtare.

Indeksi i transparencës në qeverisjen komunale për vitin 2022 e rendit komunën e Skenderajt më transparenten me 92.63 pikë (nga maksimumi prej 100 pikëve në 87 treguesit e matur), pasuar nga komunat e Lipjanit dhe Mitrovicës të vlerësuara me 91.13 pikë, Prizreni (90.63 pikë), Drenasi (89.88 pikë), Prishtina (89.13 pikë), Rahoveci (88.94), Ferizaj (86.94 pikë), Gjakova (85.38 pikë) dhe Hani i Elezit (83.62 pikë), dhe Dragashi (82.73 pikë).

Pesëmbëdhjetë (15) komunat me rritjen më të lartë të transparencës krahasuar me vitin 2021 janë Skenderaj, Istogu, Deçani, Prizreni, Malisheva, Kamenica, Hani i Elezit, Dragashi, Drenasi, Klina, Juniku, Suhareka, Obiliqi, Lipjani dhe Graçanica.

Në vazhdim, Kristina Krokova nga Transparency International – Slovakia ka theksuar që është e mahnitur të shohë progresin që komunat në Kosovë po arrijnë nga viti në vit.

“Rritja mesatare prej 12% nga viti i kaluar është shpresëdhënëse dhe tregon që qeveritë komunale do të mund të bëjnë edhe më shumë deri në fund të mandatit të tyre”, ka pohuar ajo.

Krokova ka theksuar që komunat në Sllovaki nuk kanë pasur progres të përnjëhershëm si në rastin e Kosovës, dhe sipas matjeve të tyre nga viti 2012 progresi nuk ka kaluar 25%-shin.

KDI ka inkurajuar të gjitha komunat të analizojnë ku çalojnë sa i përket matjeve të 2022 dhe të përkushtohen për të përmbushur standardet e transparencës gjatë viteve në vijim.

Po ashtu KDI kërkon nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit që urgjentisht të rregullojnë çështjen e uebfaqeve të komunës në mënyre që ato të jenë funksionale dhe në shërbim të publikut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen vijon kërkimet për të gjetur pasuesin e Robert…