KEDS-i fillon me digjitalizimin e rrjetit

11 tetor 2018 | 10:46

KEDS-i ka filluar me digjitalizimin e rrjetit elektrik në Kosovë, monitorimin dhe kontrollimin e rrjetit në mënyrë digjitale.

Kjo mundësohet nga sistemi SCADA, i cili operon përmes zyrës qendrore në Prishtinë, e pajisur me teknologjinë e fjalës së fundit.

Instalimi i këtij projekti, ku KEDS-i po investon 4 milionë euro nënkupton se do të ketë më pak ndalesa të energjisë elektrike.

Në rast të ndonjë defekti, përmes digjitalizimit parashihet që konsumatorët të mbesin shumë më pak me energji elektrike, pasi sistemi mundëson efikasitet të madh, duke e shkurtuar shumë kohën e intervenimit.

“Nga kompjuterët, tabletët apo telefonat mobilë mund të shikohet operimi komplet i rrjetit dhe të intervenohet nëse paraqitet ndonjë domosdoshmëri. Këtu përfshihen edhe ndalesat eventuale në rast të ndonjë të papriture apo anomalie të shkaktuar nga faktorët e jashtëm”, është thënë në njoftimin e KEDS-it.

Projekti fillimisht ka nisur në 20 nënstacione anekënd Kosovës, për t’u shpërndarë në një periudhë sa më të shkurtër kohore në të gjithë rrjetin elektrik.

“Me SCADA-n nis digjitalizimi i rrjetit elektrik në Kosovë. Kjo tregon përkushtimin dhe qasjen e KEDS-it që përmes investimeve të fjalës së fundit të teknologjisë, të përfitojnë sa më tepër konsumatorët kosovarë”, është bërë me dije në njoftimin e KEDS-it.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Notarja Melisa Zhdrella dhe peshëngritësi Bleron Fetaovski, do të garojnë…