KEK-u do të jetë korporata më fitimprurëse në vend

29 tetor 2018 | 13:50

Pas një gare maratonike javën e kaluar është zgjedhur drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Pozitën më të lartë në këtë ndërmarrje e ka marrë Njazi Thaçi, magjistër i diplomuar i shkencave elektroinxhinierike në Universitetin e Tiranës, duke u vlerësuar me pikët maksimale nga anëtarët e Bordit të Drejtorëve të KEK-ut, si dhe ekspertët e Ambasadës së Britanisë.

Gazeta “Epoka e re” sjell intervistën e parë për media të Njazi Thaçit pas zgjedhjes së tij në krye të KEK-ut. Në këtë intervistë Thaçi ka shpalosur objektivat për menaxhimin e ndërmarrjes më të fuqishme financiare në vend, për ambiciet e zhvillim të KEK-ut, për dilemat e ngritura nga sindikatat se a po rrezikohet korporata si pasojë e mungesës së punëtorëve të rinj, si dhe për mundësinë e pasjes së krizës energjetike gjatë sezonit dimëror.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për projektet e mëdha kapitale që synon t’i realizojë, në mënyrë që, sipas tij, ta shndërroj korporatën në një aset edhe më të fuqishëm dhe jo vetëm në prodhim të energjisë elektrike, por edhe në zgjerim të kapaciteteve gjeneruese në thëngjill.

Përveç të tjerash, Thaçi ka shpalosur edhe një ide që s’është përmendur asnjëherë më parë, e që është shndërrimi i tokave të KEK-ut në prodhim të energjisë solare. Ai ka treguar edhe për bashkëpunimin me Korporatën Shqiptare, për rëndësinë e interkoneksionit dhe për përgatitjet që ka bërë KEK-u për të furnizuar me energji elektrike gjatë sezonit të dimrit.

“Epoka e re”: Z. Thaçi, sapo jeni emëruar drejtor në KEK, cilat janë objektivat e juaja për këtë mandat?
Thaçi: Fillimisht më lejoni të përsëris atë që tashmë është realitet. KEK-u është storia më e suksesshme e zhvillimit në Kosovë jo vetëm nëse e krahasojmë me ndërmarrjet publike, por edhe me kompani të tjera. Pra, flasim për një dekadë të sukseseve të shndërrimit të një kompanie thuajse të shkatërruar në një gjigant ekonomik. Falë një menaxhimi shumë të mirë dhe pune shumë të madhe kemi arritur që Korporatën, si pasuri publike, ta kthejmë në dobi të shtetit dhe në interes të qytetarëve. Përveç pasurimit të buxhetit të shtetit, jemi faktori më i madh social në vend me mbi 4 800 të punësuar. Objektivat e mia janë të qarta dhe do të angazhohem që t’i realizoj në përpikëri. Siç e dini, unë e njoh mirë se si funksionin korporata, pasi jam pjesë e menaxhmentit gjatë gjithë kësaj periudhe të rritjes. Jam i bindur se do t’i vazhdojmë trendët e rritjes për ta mbajtur kompaninë me fitimprurëse në vend. Do t’i rrisim të hyrat e korporatës duke e zhvilluar edhe sektorin e shitjes së thëngjillit. Kosova është vendi i tretë në Evropë me rezervat me të mëdha të thëngjillit, prandaj është më se e nevojshme dhe e domosdoshme që kjo pasuri të shfrytëzohet në të mirë të rritjes ekonomike dhe sociale. Objektiv tjetër imi është që tokat, siç i quajmë ne të degraduara, pra aty ku është nxjerr thëngjilli apo ku kemi pasur deponitë e hirit dhe që janë mbuluar, t’i kthejmë në shfrytëzim për të gjeneruar të hyra. Do të bëjmë studimin e fizibilitetit dhe do ta hartojmë planin që këto toka t’i shndërrojmë në parqe solare. Bazuar në kushtet natyrore dhe teknike, është më se e nevojshme që të shfrytëzohen në këtë mënyrë.

“Epoka e re”: Është paralajmëruar krizë energjetike në Kosovë. Çfarë situatë mund të kemi gjatë sezonit dimëror?
Thaçi: Kjo s’varet vetëm nga KEK-u. Siç e dini, tash e sa vjet janë ndarë përgjegjësitë dhe secili operator në treg ka obligimet e veta në këtë proces. KEK-u ka obligim të prodhojë energji elektrike dhe t’i përmbahet planit konform licencës, ndërsa garantimin për furnizim të qytetarëve me energji elektrike e kanë operatorët e tjerë në treg që janë të licencuar për këtë punë.
Ne mund të garantojmë se i kemi bërë të gjitha përgatitjet që të jemi në prodhim me maksimumin e kapaciteteve tona prodhuese, po ashtu kemi arritur të krijojmë rezerva të mjaftueshme të thëngjillit për sezonin e dimrit. Po kryhen të gjitha remontet e planifikuara, njëkohësisht kemi arritur që në të njëjtën kohë ta furnizojmë rrjetin me sasi të nevojshme të energjisë gjatë kësaj periudhe. Pra, aktualisht kemi në remont vetëm Bllokun “B1” të Termocentralit “Kosova B” dhe të tjerët janë në prodhim. Nga 15 dhjetori do të jemi në prodhim me 4 blloqe, dy në Termocentralin “Kosova A” dhe dy në “Kosova B”. Pra, ajo që varet nga puna dhe menaxhimi i KEK-ut është e garantuar se do ta furnizojmë tregun me energji elektrike maksimalisht sa na ofrojnë kapacitetet tona.

“Epoka e re”: Bllokimi i interkonjuksionit me Shqipërinë sa është duke e dëmtuar KEK-un dhe cili është apeli juaj?
Thaçi: Kjo temë është debatuar shumë dhe ne e kemi potencuar në vazhdimësi që është në interes të madh të korporatës funksionalizimi i linjës 400 KV. Kjo do t’i mundësonte KEK-ut shkëmbim më të madh të energjisë edhe me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera të BE-së. Por, në këtë aspekt asgjë nuk varet nga KEK-u, por është problem i KOSST-it. Pra, funksionalizimi i saj është jashtë kompetencave tona. Ne s’mund të bëjmë asgjë në këtë drejtim, por mund të themi se kjo linjë është interes jo vetëm i KEK-ut, por interes kombëtar.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi aktual me Shqipërinë?
Thaçi: KEK-u dhe Korporata Energjetike Shqiptare (KESh) kanë ndërtuar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, tamam vëllazëror. Personalisht kam qenë person përgjegjës që kemi hartuar marrëveshjet e bashkëpunimit duke i njohur edhe nga afër drejtuesit e KESh-it me shumicën e të cilëve kemi studiuar bashkë në Universitetin e Tiranës. I jemi gjetur njëri-tjetrit duke mos kalkuluar shumë çmimet e tregut, por duke punuar në interes të qytetarëve tanë. Kemi mbuluar nevojat e dy shteteve me shkëmbim të energjisë elektrike 1 me 1. Pra, jemi furnizuar me energji nga KESh-i, kur kemi pasur mungesa dhe e kemi kthyer sasinë e njëjtë dhe anasjelltas. Veç kësaj, në vazhdimësi kemi bërë harmonizimin e bilanceve energjetike në mënyrë që të shkëmbejmë sa më shumë energji dhe në dy shtetet tona t’i ulin importet e shtrenjta të energjisë elektrike. Duke parë këtë bashkëpunim të mirë dhe miqësinë e mirë dhe vullnetin nga të dyja anët, në të ardhmen do të punoj që ta thellojmë edhe më shumë bashkëpunimin dhe t’i shohim edhe mënyrat e bashkëfinancimit për resurset e reja të energjisë.

“Epoka e re”: Çfarë kapacitetesh të rezervave keni dhe sa i përket qymyrit, a do të kemi sfida si në vitin e kaluar?
Thaçi: E theksuam edhe më herët, KEK-u vitin e kaluar ka qenë në një krizë të madhe të thëngjillit jo për shkak tonin, por për shkak të problemeve që u shfaqën me vonesat në shpronësime. Fatmirësisht, u tejkalua ky problem edhe me angazhimin e Qeverisë dhe aktorëve të tjerë. Me sukses kemi arritur ta përfundojmë procesin e shpronësimeve sa iu përket obligimeve tona dhe menjëherë është filluar puna dhe brenda një periudhe të shkurtër kemi arritur t’i krijojmë rezervat e mjaftueshme. Në këtë aspekt s’pritet të kemi sfida apo probleme gjatë sezonit të dimrit.

“Epoka e re”: Po ashtu, sa iu përket filtrave dhe impianteve të vjetruara, a pritet të ketë ndonjë investim?
Thaçi: Ju e dini se deri tani janë bërë shumë investime në këtë aspekt. Kemi bërë maksimumin bazuar në kapacitetet tona. Gjendja e termocentraleve të vjetra na ka sjellë këto sfida, pra janë dashur investime të mëdha për të arritur në normat e lejuara. Por, në vazhdimësi kemi bërë investime dhe falë mbështetjes së BE-së, USADI-it dhe organizatave të tjera, kemi zvogëluar në maksimum ndotjen. Edhe tani jemi duke punuar që të krijojmë një ambient sa më të pastër dhe ta reduktojmë në maksimum ndotjen. BE-ja ka dhënë një donacion prej 79 milionë eurosh për ndërtimin e filtrave të ri në Termocentralin “Kosova B” dhe komponentët e tjerë ambientalë, ata të DNOX. Në këtë drejtim do të vazhdojmë të bashkëpunojmë me organizatat e BE-së, me USAID-in, Ambasadën Amerikane dhe të tjerët të cilët në vazhdimësi na kanë përkrahur dhe i jemi falënderues.

“Epoka e re”: A ka nevojë KEK-u për 800 punëtorë siç po kërkojnë sindikatat e punëtorëve?
Thaçi: Në vazhdimësi ka pasur nevojë për plotësimin e vendeve të punës dhe për regrutimin e kuadrove të reja profesionale. Ne i kemi disa analiza që janë bërë sa i përket numrit të punëtorëve të cilët janë para pensionimit dhe numrit të madh të punëtorëve që kanë dalë në pension vitet e fundit. Mund të themi se është një sfidë për shkak të moshës së punëtorëve, por nuk bën asnjëherë të veprojmë pa i bërë mirë planifikimet buxhetore. Strategjia e KEK-ut është që të krijojë kuadro të reja, t’i mbështetë punëtorët e saj dhe të punësojë staf aq sa është i domosdoshëm, por asnjëherë nuk do të veprohet në atë mënyrë që të kemi mbipunësime dhe të rrezikohet shtylla financiare e Korporatës. Në fund, dua edhe një herë t’i falënderoj të gjithë aktorët që janë pjesë e proceseve dhe zhvillimit të objektivave të KEK-ut. Një falënderim për Bordin e Drejtorëve të KEK-ut dhe përfaqësuesve të Ambasadës Britanike për besimin që ma kanë dhënë për ta menaxhuar korporatën. Qeverinë e Kosovës, MZhE-në, zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën Amerikane, USAID-in, shoqërinë civile dhe mediat, po ashtu edhe të gjithë punëtorët e Korporatës për mbështetjen e vazhdueshme, pa të cilët Korporata nuk do të ishte kjo që e kemi sot.

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, i shoqëruar nga ambasadori i…