Këngëtarja Donna Dafi tërheq vëmendjen e mediave amerikane me “Enemy”

26 nëntor 2026 | 12:51

Çfarë ndodh kur njeriu të cilit dikur i besoje bëhet pikërisht ai nga i cili duhet të mbrohesh? Kjo është pyetja në qendër të “Enemy”, këngës që Donna Dafi publikoi më 20 nëntor 2026. Projekti i këngëtares në fjalë ka tërhequr vëmendjen e disa mediave muzikore ndërkombëtare. Mes tyre, portali amerikan Bong Mines Entertainment i ka kushtuar këngës një shkrim të posaçëm.

Portali i pavarur muzikor Bong Mines Entertainment, në shtetin e Nju Jorkut, e vë theksin te përplasja mes tërheqjes, tradhtisë dhe nevojës për të mbrojtur veten. Redaksia e përshkruan “Enemy” si një këngë të errët e joshëse, ku pop-i dhe R&B-ja ndërthuren me një vokal hipnotizues dhe një produksion të punuar me kujdes.

Në leximin e Bong Mines, protagonistja i dallon shenjat e manipulimit, por kjo nuk do të thotë se është gati të largohet. Pikërisht aty qëndron tensioni i këngës: ritmi të tërheq, ndërsa teksti të paralajmëron. Me çdo përsëritje, fraza “My Enemy” (“Armiku im”) tingëllon më pak si dyshim dhe më shumë si një e vërtetë që protagonistja po fillon ta pranojë. Ai që dikur i thoshte gjithçka që ajo donte të dëgjonte tani është njeriu të cilit nuk mund t’i besojë më.

Për këngën ka shkruar edhe Darryl Sterdan në platformën muzikore kanadeze Tinnitist. Ai veçon kontrastin mes ritmit që të fton të vallëzosh dhe rrëfimit për një marrëdhënie nga e cila është e vështirë të shkëputesh. Sterdan e krahason këngën me “Good Morning”: në projektin e mëparshëm, Donna rimerrte kontrollin, ndërsa në “Enemy” ndalet te çasti kur e di se duhet të largohesh, por ende nuk je gati ta bësh këtë.

Revista amerikane FEMMUSIC Magazine, në SHBA, e vendos këngën në kontekstin e karrierës së artistes. Krahas ndërthurjes së pop-it dhe R&B-së me ritme të frymëzuara nga muzika afrikane, revista përmend fushatën e Donna Dafit për ESCADA Fragrances dhe çmimin Silver Award që “Touch Me Like That” mori në Berlin Music Video Awards 2026.

Ndërkaq, PM Studio – World Wide Music News sjell kreditet e projektit. Kënga është shkruar nga Donna Dafi, Philippa Kinsky dhe Nina Caroline, ndërsa produksioni është realizuar nga Merlin dhe Dominik Haller. Videon zyrtare me tekst e kanë drejtuar Arnau Monturiol dhe Max Ruslan.

Me “Enemy”, Donna Dafi nuk këndon për çastin kur ke shpëtuar nga një marrëdhënie. Ajo këndon për çastin kur e kupton se duhet të largohesh, edhe pse një pjesë e jotja ende dëshiron të qëndrojë.

Videoklipi i “Enemy” në dispozicion më poshtë:

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se…