Haxhiu për Ligjin e Speciales: Fokusi duhet të vendoset te strategjia, jo te nismat me efekt politik
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se fokusi për mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që po mbahen në Hagë, duhet të vendoset te hartimi i një strategjie, duke vlerësuar se nismat ligjore duhet të kenë efekt juridik dhe jo vetëm politik.
Haxhiu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës tashmë ka themeluar grupin për hartimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, i cili ka zhvilluar disa takime dhe pritet që strategjia të publikohet së shpejti.
“Ne kemi thënë në vazhdimësi që fokusi do të duhej të vendosej te strategjia. Dhe pikërisht për këtë arsye Qeveria e Republikës së Kosovës e ka themeluar grupin për strategjinë, për hartimin e strategjisë, i cili tashmë ka mbajtur disa takime dhe nga i cili do të dalë shumë shpejt, pra, strategjia për mbrojtjen e atyre që po mbahen padrejtësisht në Hagë, pra në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se gjatë kësaj periudhe ka pasur edhe propozime dhe qëndrime të tjera, të cilat kanë kërkuar adresimin e çështjes përmes ndryshimeve ligjore.
Sa i përket ligjit për Gjykatën Speciale, Haxhiu ka deklaruar se e kanë mbështetur, por nuk kanë besuar se kjo nismë do të kishte ndonjë efekt juridik në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
“Megjithatë, gjatë kësaj kohe ka pasur, si të thuash, edhe propozime të tjera dhe qëndrime të tjera që duhet të adresohen edhe përmes ligjeve, përkatësisht përmes ndryshimeve të ligjeve. Sa i përket qëndrimit tonë për ligjin, ju e dini, ne e kemi mbështetur, ndonëse nuk kemi besuar që ajo është rruga që do të ketë ndonjë efekt juridik në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së”, ka thënë ajo, raporton “Ekonomia Online”.
Haxhiu ka bërë të ditur se ligji, pas kthimit nga presidentja, ka mbetur ende në procedurë në Kuvend, ndërsa kanë pranuar një opinion nga Zyra Ligjore e Kuvendit, sipas të cilit çështja duhet të trajtohet në seancë plenare.
“Siç e dini tashmë, jemi në rrethanën kur ai ligj ka mbetur, përkatësisht pas kthimit të presidentes, ende në procedurë. Ne kemi pranuar një opinion nga Zyra Ligjore e Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili thekson që duhet të adresohet në seancën plenare dhe pastaj seanca plenare të vendosë mbi veton e presidentes. Sigurisht që qëndrimet për këtë do t’i japim në seancën plenare”, është shprehur Haxhiu.
Ndërkaq, lidhur me mundësinë e propozimit të një ligji të ri, kryetarja e Kuvendit ka thënë se, sipas informacioneve që kanë, pritet të propozohet një tjetër nismë ligjore, por ajo ende nuk është e informuar për përmbajtjen e saj.
“Sa i përket ligjit të ri, ne, sipas informacioneve që i kemi pasur, një ligj tjetër, prapë ligj përkatësisht, do të propozohet. Megjithatë, nuk jam në dijeni për përmbajtjen e tij. Sapo të jemi në dijeni për përmbajtjen e tij, ne do t’i japim qëndrimet tona”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka theksuar se në takimet e vazhdueshme me përfaqësues të PDK-së ka insistuar që përpjekjet të përqendrohen në çështje që kanë efekt juridik, duke argumentuar se nismat me efekt politik mund të adresohen përmes rezolutave dhe deklaratave të Kuvendit.
“Është shumë e rëndësishme, këtë ua kam thënë edhe si qëndrim PDK-së në takimet e vazhdueshme që kam pasur me ta, që fokusi duhet të vendoset te çështjet të cilat kanë efekte juridike. Nuk kemi nevojë për nisma të cilat kanë efekt politik, për shkak se për efekt politik janë rezolutat dhe deklaratat e Kuvendit”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka bërë thirrje që të gjitha palët të angazhohen për hartimin e një strategjie sa më efektive për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke mos i lënë të vetëm ata që, sipas saj, po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Prandaj, po e konsideroj të rëndësishme të theksoj se të gjithë bashkë duhet të bëjmë përpjekje që ta kemi një strategji sa më të mirë dhe të mos i lëmë vetëm ata të cilët padrejtësisht po mbahen në Hagë”, ka shtuar Haxhiu.



