Kërkesa e Thaçit ndaj Gjykatës Kushtetuese pritet me dyshime

21 shtator 2018 | 17:35

Nisma e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, që tregon për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për partitë politike opozitare dhe analistët politikë është e papranueshme

Thaçi, ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese nëse marrëveshja mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për mandatin e ri të EULEX-it do duhej të miratohet nga 2/3 e Kuvendit apo një gjë të tillë mund ta bëjë presidenti përmes shkëmbimit të letrave?

Zyra për media në Gjykatën Kushtetues të Kosovës ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se kërkesa e Thaçit “tashmë është regjistruar dhe proceduar nga Gjykata”. E kontaktuar nga “REL” Zyra e Presidentit nuk ka dashur të komentojë iniciativën e Thaçit.

Për partitë opozitare këto veprime të presidentit janë një tendencë tjetër që procesi i dialogut dhe marrëveshjet e mundshme me Serbinë t’i bëjë vet Thaçi, pa kaluar në Kuvend.

Sipas tyre, rasti i EULEX-it mund të shërbejë edhe për marrëveshje tjera si ajo me Serbinë.

Deputeti Frashër Krasniqi nga PSD-ja, ka pohuar se kjo është një tendencë e re e Thaçit për të marrë një rol që nuk i takon dhe për ta fuqizuar rolin e tij politik.

Ai madje thotë se presidenti me veprimet e tij, po e dërgon vendin drejt një lloj autoritarizmi presidencial. “Mendojmë që është e papranueshme kjo tendencë e pakompromis e Thaçit që t’i ikë Kuvendit dhe ta largojë vendimmarrjen nga Kuvendi. Kushtetuta e Kosovës e përcakton shumë qartë që marrëveshjet ndërkombëtare të cilat kanë të bëjnë me integritetin territorial me çështje të rëndësishme për Republikën e Kosovës duhet të miratohen në Kuvend me dy të tretat[2/3]”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shtuar se presidenti Thaçi e di se nuk e ka mbështetjen e opozitës dhe as të deputetëve të tjerë jashtë opozitës dhe po tenton të nënshkruaj një marrëveshje pa ratifikimin e saj nga Kuvendi.

Ahmet Isufi, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në pushtet, ka thënë për “REL” se kërkesa e presidentit drejtuar Gjykatës Kushtetuese është normale dhe siç tha ai, askush nuk mund të përzihet në punët e asaj gjykate.

Ai ka theksuar se respektimi i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi është detyrë e çdo institucioni. “Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës janë të sanksionuara të gjitha obligimet dhe të drejtat të cilat normalisht që duhet respektuar. Prandaj marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kuvendin e Republikën e Kosovës dhe derisa të ekzistojë kjo Kushtetutë ato janë obliguese”, ka deklaruar Isufi.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, duke folur për “REL” ka deklaruar se presidenti Thaçi me çdo kusht po mundohet që marrëveshjen për ndryshimin e kufirit Kosovë-Serbi të mund ta legjitimojë për qytetarët e Kosovës.
Ky veprim i presidentit, sipas Mushkolajt, po bëhet pasi ai nuk ka përkrahjen për të negociuar në dialogun politik Kosovë-Serbi.

“Presidenti nuk është dashur të kërkojë interpretim për shkak se edhe përvojat e kaluara kanë treguar se marrëveshjet ndërkombëtare janë miratuar me 2/3 në Kuvendin e Kosovës po është edhe një përpjekje e tij që t’i anashkalojë të gjitha institucionet e tjera dhe çfarëdo marrëveshje që arrinë dhe që mban vulën e tij të prezantohet si e mirëqenë për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka deklaruar Mushkolaj.

Pasi kërkesa e presidentit Thaçi është proceduar në Gjykatën Kushtetuese, kryetarja Arta Rama, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të japin mendimet e tyre lidhur me letrën dhe kërkesën që presidenti ka dërguar në gjykatë.
Ndryshe, në nenin 18 të Kushtetutës së Kosovës thuhet se Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për këto çështje, si territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake, të drejtat dhe liritë themelore, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Therandës, Bali Muharremaj, ka marrë pjesë…