Kërkohet furnizimi urgjent i policëve me uniforma e antiplumba

18 shkurt 2024 | 22:05

Një sërë shkeljesh dhe mungesë e pajisjeve kryesore janë evidentuar në disa raporte të Inspektoratit Policor gjatë një inspektimi që është bërë në stacionet policore në Fushë- Kosovë, Istog e Malishevë. Në gjetjet e këtyre raporteve theksohet edhe përdorimi i sprejave e jelekëve anti plumb me afat të skaduar.

Ndërmarrjen e veprimeve urgjente për furnizim me uniforma të zyrtarëve policorë në Fushë-Kosovë, ka kërkuar Inspektorati Policor i Kosovës.

Në raportin e inspektimit për stacionin policor për këtë komunë, janë evidentuar edhe një sërë mungesash të tjera që kanë të bëjnë kryesisht me gjëra elementare, çështjet që lidhen me masat e sigurisë dhe me cilësinë jo të kënaqshme të funksionimit të zinxhirit komandues.

Aty theksohet po ashtu se zyrtarët policorë shpesh kanë blerë vetë këpucë ose çizme për punë, dhe se spreji e antiplumbat që kanë në përdorim janë me afat të skaduar.

“IPK-ja ka inspektuar pesë zyrtarë policor, për të parë nëse kujdesen dhe mirëmbajnë armët e pajisjet, përfshirë edhe municionin. Pistoletat kanë rezultuar të pastra, spreji kimik dhe jelekët anti – plumb tek zyrtarët e pajisur janë hasur me afat të skaduar, fishekët janë ndërruar dhe janë zyrtar. Sa i përket sprejit duhet pasur parasysh se përdorimi eventual i atyre me afat të skaduar mund të ndikojë në shëndetin e personave, me të cilët mund të ketë ballafaqim”, thuhet në raportin e IPK-së.

Si rrjedhojë e kësaj, IPK-ja ka nxjerrë 14 rekomandime për këtë stacion, gjysma e tyre për drejtorinë e logjistikës, për të përmirësuar qasjen në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, dhe për ruajtjen e dhomës së dëshmive.

Në mesin e tyre janë furnizimi urgjent me uniforma, sprej, jelekë anti plumb dhe radiolidhje.

“IPK-ja i rekomandon Drejtorit të Departamentit të Shërbimeve Mbështetëse (Drejtorisë për Menaxhimin e Objekteve dhe Drejtorisë së Logjistikës) dhe Komandantit të Stacionit që të përkujdesen në përmirësimin e kushteve fizike dhe të sigurisë në Dhomën e dëshmive të Stacionit policor të Fushë Kosovës, përfshirë krijimin e hapësirave për akomodimin e dëshmive, rifunksionalizimin e sistemit të ventilimit dhe kondicionimit, pajisjen me inventar për akomodimin e armëve, mbushjen e aparateve për fikjen e zjarrit, etj. IPK-ja rekomandon Zyrtari të Dhomës së dëshmive që të respektojë rregullat mbi paketimin e dëshmive të konfiskuara në materiale adekuate varësisht specifikave të tyre”, theksohet tutje në raportin e IPK-së.

Telashe të njëjta kanë edhe zyrtarët policorë në stacionin në Istog e Malishevë. Edhe në raportet e inspektimit për këto dy komuna, evidentohen mungesat e gjërave elementare, përdorimi i sprejit e jelekut anti plumb me afat të skaduar.

Ndërsa në raportin për komunën e Istogut, thuhet se IPK-ja nuk ka mundur të nxjerrë opinion për mbikëqyrjen e rasteve të arrestit shtëpiak, e urdhër ndalimeve që lëshohen nga gjykatat.

“IPK-ja nuk ka mundur të jep opinion për kohën mesatare mbi veprimin e parë policor prej momentit të pranimit të urdhëresës së lëshuar nga gjykata, për shkak të mungesës së raporteve policore për veprimet e ndërmarra. Është e nevojshme të fillohet me praktikimin e raporteve për veprimet e ndërmarra (vizitat tek palët) drejt realizimit të urdhëresave”, kërkohet në raportin e IPK-së.

Në anën tjetër ish-kryeshefi i IPK-së, Valdet Hoxha thotë se gjetjet në këto raporte duhet të merren me seriozitet, sepse parregullsitë e evidentuara ndikojnë drejtpërdrejt edhe në jetën e punonjësve të Policisë.
“Janë shumë të rëndësishme madje mund të themi se konstatimi për mungesë të pajisjeve të tilla, siç janë spreji, jeleku anti plumb probleme me vetura e të ngjashme ndikojnë drejtpërdrejt në rrezikimin e jetës së punonjësve të Policisë, në situata kur ballafaqohen me të dyshuar për vepra të ndryshme penale”, ka thënë Valdet Hoxha – Ish-kryeshef i IPK-së.

Policia e as Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet nëse kanë pranuar këto raporte dhe nëse do të adresohen rekomandimet e dhëna nga Inspektorati Policor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Nasim Haradinajt në Hagë, Toby Cadman, është duke…