Kërkohet shkarkimi i Bordit të KPM-së, kjo është arsyeja

09 shkurt 2024 | 16:23

Anëtarët e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) pasi kanë kthyer kanalet serbe “Arena” në operatorët kabllorë dhe gjatë kohës së fjalimit të kryeministrit Kurti në KS të OKB-së kishte ndërprerje të rrjetit nga IPKO. Opozita një gjë të tillë e ka vlerësuar si presion mbi mediet.

KPM-ja kishte pezulluar kanalet sportive të “Arena”, pasi në to ishin shfaqur mesazhe e thirrje mbështetëse për terroristët e vrarë më 24 shtator të vitit të kaluar në Banjskë. E disa ditë më parë i i ka rikthyer të njëjtat.

Lidhur me këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nijazi Isaku, ka thënë se e mbështet kërkesën për shkarkimin e Bordit të KPM-së për shkak të rikthimit të kanaleve serbe “Arena” në operatorët kabllorë.

“Andaj, është ngritur një shqetësim i madh i qytetarëve pas atij vendimi. Nuk mendoj që ka qenë diçka që s’është për t’u diskutuar. Është shumë për t’u diskutuar. E keni pasur ju një vendim të kaluar, por kaq shpejt e ndryshuar atë vendim. Aq më tepër kur ky vendim është atakuar në Gjykatën Komerciale dhe dy shkallë të kësaj gjykate e vërtetojnë atë vendim që ju e keni marrë”.

“Po ashtu, unë e pashë një lajm që këtë vendim e ka mbështetur Telekom Serbia. Qysh pra një vendim që e ka marrë KPM-ja e jonë duartrokitet nga Telekom Serbia?  A e kuptoni çka ka ndodhur në Banjskë dhe çka e ndryshoi atë ngjarje kur dihet botërisht se ka qenë sulm terrorist ndaj shtetit tonë, i financuar nga Serbia, kur kemi një hero të vrarë të Kosovës çka kemi me i thanë na familjes së Afrim Bunjakut pas këtij vendimi?”,  ka thënë Isaku, raporton “EO”.

Më tutje, Isaku ka përmendur edhe ndaljen e rrjetit nga kompania IPKO në momentin kur po bëhej gati të mbante fjalim kryeministri Albin Kurti në Këshillin e Sigurimit të OKB-së të enjten në mbrëmje.

“Duke fol kryeministri i vendit në Këshillin e Sigurimit, doli IPKO e bllokoi. U dashtë me hi në kompjuter me leshu se na i ndali qasjen kur fliste kryeministri i Kosovës. Foli Vuçiqi u transmetua, filloi kryeministri i Kosovës e ndalën rrjetin. Edhe Serbia i kish ndal fjalimet e Kurtit”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur presion publik, kërkesën e mazhorancës për shkarkim të Bordit të KPM-së.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena Sport”,  që transmetoheshin nga disa operatorë kabllorë në Kosovë.

Mehmeti ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.

“Më 6 shkurt kemi pasur mbledhje të Komisionit më shumë pika dhe janë marrë shumë vendime. Më 7 shkurt na ka ardhur një ftesë që thotë se ftohen anëtarët të marrin pjesë në dëgjimin para komisionit dhe sot jemi para jush. Sa i përket shfuqizimit të vendimi tonë për pezullim të kanaleve të ‘Arena Sport’, përgjigja është se jemi bazuar në faktin se kanë pushuar rrethanat të cilat na kanë determinuar marrjen e një vendimi të tillë. E dyta, kemi marrë garanci nga operatorët dhe kanalet e ‘Arena Sport’ se përmbajtjet e tilla nuk do të përsëriten më kurrë. Dhe e treta, kemi pasur parasysh interesin e përdoruesve për të pasur qasje në ngjarje sportive që i ofrojnë këto kanale”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti ka deklaruar se ia kanë dhënë shansin e fundit “Arenës” dhe se kjo e fundit e ka pranuar kushtin, duke e paralajmëruar se “ripërsëritja e një mesazhi politik në kanalet sportive ‘Arena’ do të rezultojë në mbylljen permanente të këtyre kanaleve në Republikën e Kosovës”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit e Kosovës ka filluar ciklin e ri…