Kërkohet t’i bëhet presion Serbisë për çështjen e personave të pagjetur

09 dhjetor 16:26

Në Ditën ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, së bashku me përfaqësues nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur, ka vizituar varrezat myslimane në Veriun e Mitrovicës.

Anëtarët e këtij komisioni janë njoftuar se nga pas lufta në këto varreza janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të më shumë se 70 viktimave.

“U tha se ne këtë lokacion është punuar me prioritet, përderisa punimet do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, ngase dyshohet edhe për trupa të tjerë. U kërkua që bashkësia ndërkombëtare të vazhdojë presionin mbi palën serbe, në mënyrë që kjo e fundit të ofrojë me shumë bashkëpunim dhe informacione lidhur me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë”.

“Po ashtu u kërkua që institucionet e Kosovës të kenë një vendosmëri më të madhe që personat e pagjetur dhe familjet e tyre të jenë prioritet i të gjitha aktiviteteve por, edhe kushti i çfarëdo bisedimeve që zhvillohen me Serbinë. Anëtarët e komisionit premtuan që do të jenë kudo në përkrahje të familjarëve të personave të zhdukur, për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, ngase, sipas tyre, Kosova nuk do të mund ta ketë një ardhmëri të ndritur pa u zgjidhur kjo brengë e madhe e shoqërisë dhe pa i sjellë personat përgjegjës para drejtësisë”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Bernard Challandes e konsideron si të vështirë grupin në…