Këshilltari i Zelenskyt: Kosova, territor i papranuar për Ukrainën

25 gusht 2023 | 01:20

Mihail Podoljak, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Kosova për Ukrainën ngel territor i papranuar.

Në një intervistë për mediumin serb “N1”, Podoljak i pyetur për mundësinë e njohjes së Kosovës, ka deklaruar se për Ukrainën mbetet qëndrimi zyrtar që nuk e njeh si shtet.

Ai e ka quajtur normale që në çdo shtet demokratik të ketë dialog të brendshëm, kur është pyetur për diskutimet në Ukrainë për Kosovën, pasi deputeti Oleksiy Goncharenko u shpreh se duhet të njihet si shtet.

“E çështja e dytë është se ekziston një qëndrim zyrtar i Ukrainës që e kupton se Kosova, në fakt, ky territor serb. Në fakt, jo që është serb, por është territor i papranuar. Dhe pika e tretë është se unë megjithëkëtë nuk do të tërhiqja paralele midis proceseve që po ndodhin në Ukrainë, ngase kjo është një luftë klasike e një shteti që ka hyrë në territorin e një shteti tjetër – Rusia në atë ukrainase, dhe po provon që të aneksojë territore. Kjo është një situatë e luftës agresive. Është situatë krejt ndryshe dhe nuk është as përafërsisht sikurse ajo në të cilën tani ndodhet Serbia, në kuadër të shqyrtimit të statusit ligjor të territorit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Podoljak po ashtu ka mohuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka ofruar armë Ukrainës në këmbim të mosnjohjes së Kosovës, siç ka hedhur dyshime eurodeputetja Viola von Cramon, pas takimit të Vuçiqit me Zelenskyn.

“Sigurisht që nuk ka asnjë të vërtetë në këtë, është spekulim. Takimi është padyshim i rëndësishëm, duhet komunikim në të gjitha nivelet, t’i kuptojmë pozicionet e njëri-tjetrit”, ka thënë tutje ai.

Zelensky mori pjesë në darkën e ftuar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, për nder të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut, e ku u ftuan liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe ata të BE-së. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte publikuar një video duke u përshëndetur shkurtazi me Zelenskyn para darkës. Zelensky në videon e postuar në platformën “X” kishte përmendur takimet me liderët në Athinë, por nuk përmendi askund Kosovën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka gjetur kohë që në një…