KF Llapi: Dëmi kalon vlerën e 10 mijë eurove, presim ndihmën e FFK-së

13 mars 2023 | 13:11

KF Llapi ka reaguar një ditë pas incidentit të shkaktuar pas ndeshjes kundër Ballkanit nga tifozeria mysafire.

Kryesia e klubit llapjan pas një analize të thellë dhe detajuar në çdo aspekt e ka quajtur të papranueshëm veprimin e tifozëve të Ballkanit.

KF Llapi dhe FC Ballkani treguan futboll të mirë, cilësor dhe rivalizues. Ndeshja e djeshme ishte hijeshia e këtij sezoni sa i përket ndeshjes, kurse sa i përket tifozerive të skuadrave gjatë ndeshjes nuk kishte asnjë përleshje fizike mes tifozerisë mes vete sepse nuk kishin mundësi të përballeshin pasi që tifozët tanë ishin vendosur në Veri kurse tifozët mysafir në Jug.

“Pas përfundimit të ndeshjes, tifozët mysafir, të revoltuar me humbjen e ekipit të tyre filluan t’i dëmtojnë ulëset e tribunës në të cilën ishin të vendosur dhe kjo gjë është e pa pranueshme në sport dhe duhet të dënohet rreptë pa marr parasysh kushdo që të jetë. Ne kemi raporte të shkëlqyeshme mes dy kryesive dhe jemi rival në fushë por miq dhe shokë jashtë fushës. Ne edhe pse jemi dëmtuar rëndë si klub, gjithmonë do ta respektojmë kryesinë e FC Ballkanit dhe vëllezërit Kabashi pasi që ata nuk kanë të bëjnë me këto gjëra por disa tifozë të pandërgjegjshëm shkaktuan këtë dëm të madh dhe të panevojshëm”, thuhet në reagimin e Llapit.

Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina pret që personat që u identifikuan në incident të marrin dënimin e merituar. Skuadra e Llapit ka njoftuar se dëmi i shkaktuar është mbi 10 mijë euro dhe pret që të ndihmohet nga Federata e Futbollit në intervenimin e sajimit të këtij dëmi.

“E dini të gjithë se çfarë sakrifice kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë ne vëllezërit Batatina për ta ngritur infrastrukturën në këtë nivel dhe të dëmtohet pa asnjë nevojë, kjo gjë është e pa pranueshme si dhe e dënueshme. Dëmi i shkaktuar sipas ekspertëve të dëmit kalon vlerën e 10 mijë euro. Shpresojmë që FFK-ja të na mbështes dhe ne të intervenojmë menjëherë me rregullimin e ulëseve sepse për ne si klub është e pamundshme ta shohim ashtu Arenën ‘Zahir Pajaziti’”, thuhet në reagimin e skuadrës llapjane.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka…