Kishte dhënë ryshfet 20 euro, gjykata e dënon me 1 500 euro gjobë

30 shtator 2020 | 16:15

Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit J. M., duke e gjykuar me 500 (pesëqind) euro gjobë dhe katër muaj burgim, i cili dënim me pajtimin e palës është zëvendësuar në të holla në shumën prej 1000 euro.

I akuzuari më 28 maj 2020, rreth orës 22:30 minuta, në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”, në hyrje të Republikës së Kosovës, duke e drejtuar kamionin e markës “Volvo”, ndalet për t’i kryer procedurat e kalimit të kufirit nga zyrtarët policorë e doganorë dhe gjatë kontrollit të përbashkët, të njëjtit gjejnë mall komercial të fshehur, të padeklaruar, produkte kozmetike dhe tekstil në kabinën e kamionit.

Me këtë rast i akuzuari J. M. ia ofron 20 euro zyrtarëve të lartpërmendur, duke iu thënë “mos e boni të madhe këtë punë dhe së bashku merrni 20 euro dhe pini diçka, hani”, me ç’rast zyrtari policor i fotografon paratë dhe të njëjtat i konfiskon.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “dhënie ryshfeti”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Pas pranimit të fajësisë nga i akuzuari për kryerjen e kësaj vepre, gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka shqiptuar dënim unik në shumë prej 1500 euro.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Agjencia e Regjistrimit Civil e Ministrisë së Punëve të Brendshme…