KMDLNj: Liderët duhet t’i mbrojnë institucionet e pavarura dhe jo t’i sulmojnë

25 janar 2021 | 13:23

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në vend si pasojë e zgjedhjeve të reja dhe akuzave në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

KMDLNj ka theksuar se duke respektuar ligjin liderët duhet t’i mbrojnë institucionet e pavarura dhe jo t’i sulmojnë ato.

“Komisioni Qendror për Zgjedhje është një institucion i pavarur që ka përgjegjësi ligjore dhe kushtetuese për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe, deri më tani këtë punë e ka kryer me kompetencë duke u radhitur ndër institucionet më të besueshme. Ka 11 anëtarë me të drejtë vote dhe kryetare është Valdete Daka që është e para në mesin e të barabartëve në kohën që fuqia e votës së saj është e njëjtë me anëtarët e tjerë që nënkupton se nuk e ka forcën e votës deliberative (përcaktuese) nëse është votimi 50 për qind me 50 për qind. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sidomos ai për përjashtimin e 47 kandidatëve nga e drejta për të garuar në zgjedhjet e radhës ka ndikuar që KQZ të jetë institucioni më i sulmuar në Kosovë kurse kryetarja e KQZ, znj. Valdete Daka të jetë personi më i linçuar dhe më i kërcënuar në Kosovë në kohën kur as KQZ-ja e as Valdete Daka nuk kanë asnjë përgjegjësi, subjektive apo objektive qoftë ajo. Edhe KQZ-ja si dhe kryetarja Valdete Daka e kanë Ligjin sikur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe, çdo refuzim i zbatimit të Ligjit bartë përgjegjësi penale sikur që çdo përpjekje, kërcënim, shantazhim apo linçin, si ndaj KQZ-së dhe kryetares Valdete Daka, është sulm i drejtpërdrejtë mbi pavarësinë e këtij institucioni dhe përpjekje për instrumentalizim si dhe futje nën kontroll politike. Gjuha që po përdoret ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës është i pashembullt për një vend demokratik dhe ku sundon ligji prandaj duhet të ndalen të gjitha sulmet në mënyrë që zgjedhjet të mbahen me kohë dhe papengueshëm”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, politikanët të cilët, me të drejtë apo pa të drejtë nuk janë të kënaqur me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të cilat, për fat të keq, janë të pakundërshtueshme, me të ardhur në pushtet apo edhe nga opozita duhet të nisin procesin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese duke ia hequr monopolin ekskluziv për marrje të vendimeve e që, thuaja në shumicën e rasteve po prodhojnë efekte dhe pasoja politike duke shkaktuar kriza të shumta.

“Mund ta marrin shembullin e Shqipërisë apo ndonjë praktikë tjetër ku Gjykata Kushtetuese mbikëqyret nga Kuvendi apo Këshilli i Ministrave. Legjislatura e re duhet të kërkojë të bëhet edhe ndryshimi i rekrutimit dhe intervistimit të kandidatëve për Gjykatë Kushtetuese të Kosovës për faktin se mënyra e deritashme është treguar joefikase .Liderët politikë duhet të jenë ata që nuk duhet të lejojnë sulmet ndaj KQZ-së dhe Valdete Dakës dhe, me shembullin e tyre duhet të dëshmojnë se janë për një shtet ligjor dhe shtet të së drejtës e që, së paku deri më tani, një numër i tyre e kanë bërë të kundërtën”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Frank Lampard zyrtarisht nuk është më trajner i Chelseat. Ish-mesfushori,…