Koalicioni AAK-PSD mund të nxisë koalicione të reja

21 gusht 2019 | 11:24

Lidhja e koalicionit të parë parazgjedhor në mes të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Partisë Socialdemokrate (PSD) do të nxisë edhe lëvizje të tjera politike në ditët në vijim.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka bërë me dije se ky koalicion ka qenë i pritur, duke kritikuar ata që pamundësuan një listë zgjedhore opozitare.

“Gjithçka që po ndodh sot në politikë e ka një kontekst nga e kaluara. Në ditët dhe javët e ardhshme me gjasë do të ketë shumë lëvizje politike dhe do të përpiqem t’ua shpjegoj kontekstin e tyre sipas këndvështrimit tim. Deklaratat e LDK-së se pëlqen të shkojë e vetme në zgjedhje dhe ato të LV-së se vetëm Albini duhet të jetë kandidat për kryeministër, na humbën kohë dhe e prishën mundësinë e listës së përbashkët opozitare”, ka shkruar Deda në profilin e vet në “Facebook”.

Sipas tij, shumë shpejt do të ndodhë edhe koalicioni parazgjedhor Alternativa me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Për të gjithë ata që po ‘çuditen’ me koalicionin e Shpendit me Ramushin, po pres me e pa ‘çudinë’ e njëjtë të ‘koalicionit’ të Mimozës me Albinin. Çdokush rrugës së vet”, ka shkruar ai.

Edhe të martën ka pasur lëvizje të reja politike dhe aderime të reja.

Një ditë pas arritjes së koalicionit me PSD-në, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka takuar kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, me të cilin ka biseduar rreth seancës për shpërndarjen e Kuvendit e cila do të mbahet të enjten. Pas takimit, Haradinaj ka deklaruar se kësaj radhe nuk kanë diskutuar për ndonjë koalicion me këtë parti, ndonëse ka pranuar se ka disponim për një koalicion të tillë, shkruan “Epoka e re”.

“Jemi taku me z. Limaj, nuk ka pasur mundësi për të folur për koalicion me Nismën, por disponim ka. Nuk jemi pajtuar për ndonjë marrëveshje”, ka thënë Haradinaj.

Por, disponimi i Nismës tani për tani është që kjo parti të shkojë e vetme në zgjedhje të parakohshme. Shefi i grupit parlamentar i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherif, ka thënë se kjo parti aktualisht është në fazën e konsultimeve me strukturat e partisë.

“Nisma Socialdemokrate është duke punuar që në zgjedhje të shkojë e vetme. Aktualisht jemi në fazën e konsultimeve me strukturat e partisë. Pas përfundimit të konsultimeve me strukturat tona, atëherë do të mund të dalim me një vendim përfundimtar. Unë personalisht kam vizituar shumicën e degëve në nivel vendi dhe, sa kam parë, shumica e tyre kërkon që Nisma të garojë e vetme në këto zgjedhje. Megjithatë, vendimi përfundimtar iu takon strukturave drejtuese të partisë”, ka thënë Sherifi.

As Lëvizja Vetëvendosje nuk ka qëndruar duarkryq. Lideri i këtij subjekti politik, Albin Kurti, ka bërë me dije se të martën kësaj lëvizje i është bashkuar edhe analisti politik Haki Abazi.

“Haki Abazi na u bashkua në Vetëvendosje. Njohuritë e gjera dhe përvoja zhvillimore e Hakiut në Kosovë dhe vende të ndryshme nëpër botë, e bëjnë atë një vlerë të shtuar në Lëvizjen tonë. Hakiu njihet, mes të tjerash, për përkrahjen e vazhdueshme për themelimin e dhjetëra organizatave në Kosovë që promovojnë filantropinë, zhvillimin e qëndrueshëm, idetë ndërmarrëse inovative, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Ai ka jetuar e punuar në 120 shtete të botës në 20 vjetët e fundit”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se Abazi do të ndikojë në fitoren e pashmangshme të LV-së në këto zgjedhje.

“Me Hakiun në Lëvizje, ndryshimet e domosdoshme në shtetin tonë po bëhen edhe më të afërta dhe më të lehta. Do të ecim bashkë drejt zgjerimit të mëtutjeshëm dhe fitores së pashmangshme”, ka shkruar Kurti.

Ndërsa kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka njoftuar se të premten ka ftuar mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie. Në njoftimin për medie të LDK-së nuk është treguar nëse në këtë mbledhje do të flitet rreth koalicioneve parazgjedhore.

Sipas këtij njoftimi, në rend ditës do të jenë dy pika: rezultatet në zgjedhjet e fundit të përgjithshme dhe lokale dhe perceptimi publik për LDK-në si dhe zgjedhja e kryesisë së LDK-së. “Ky takim mbahet në selinë e këtij subjekti politik më 23 gusht nga ora 17:30”, është thënë në njoftimin e LDK-së.

Muhamet KOCI /Epoka e re

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari Justin Bieberi dhe modeluesja Hailey Baldwin janë kurorëzuar në…