KOK-u do të marrë pjesë në takimin me ICMG-në në Athinë, në fokus ngecjet në organizimin e ‘Prishtina 2030’
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të marrë pjesë në një takim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), i cili do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor në Athinë të Greqisë, ku në fokus do të jenë ngecjet në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Lajmin e ka bërë me dije KOK-u për “KosovaPress”, duke theksuar se ftesa për pjesëmarrje ka ardhur nga ICMG-ja.
Pas përfundimit të takimit në Athinë, drejtuesit e KOK-ut do të raportojnë para Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” për diskutimet e zhvilluara dhe hapat e mëtejmë që pritet të ndërmerren.
Në qëndrimin e tij, KOK-u ka theksuar se mbetet plotësisht i përkushtuar që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të organizohen në Kosovë, por ka nënvizuar se suksesi i këtij projekti varet nga përkushtimi i të gjitha institucioneve të përfshira.
Takimi i 3 dhe 4 dhjetorit në Athinë vjen në një periudhë kur organizimi i “Prishtina 2030” po përballet me sfida dhe vonesa në përmbushjen e obligimeve të përcaktuara për këtë ngjarje të madhe sportive.



