KOK-u mbështet ekipin olimpik të xhudos me vijimin e kampeve në Herstal dhe Paris

06 shkurt 2020 | 14:21

Ekipi Olimpik i Xhudos po vijon përgatitjet para garës së Grand Slamit që mbahet më 8 dhe 9 shkurt 2020 në Paris të Francës. Për t’u përgatitur sa më mirë për këtë garë dhe të tjerat që i presin në rrugën e gjatë drejt kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ekipi i xhudos po merr pjesë në kampin Herstal të Belgjikës që po mbahet prej 2-7 shkurt 2020.

Komiteti Olimpik i Kosovës është duke vazhduar mbështetjen për ekipin olimpik të xhudos, duke i mbuluar shpenzimet e pjesëmarrjes në këtë kamp, bazuar në vendimin e Bordit Ekzekutiv të KOK-ut për t’i mbështetur sportistët elitarë. “Krahas këtij kampi, xhudo do të vazhdojë edhe me kampin tjetër në Paris, që mbahet prej 9-13 shkurtit 2020, shpenzimet e të cilëve sërish mbulohen nga KOK-u”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik.

Gara e madhe e Grand Slamit të Parisit mbahet këtë fundjavë, ku sportistët tanë synojnë të ngjiten në podium dhe të fitojnë sa më shumë pikë olimpike për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Sipas përzgjedhësit të xhudos, Driton Kuka, në Paris do të marrin pjesë Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova e Distria Krasniqi, kurse ende nuk dihet nëse do të përfaqësohet edhe Laura Fazliu. Deri më tani të pesë xhudistët Majlinda Kelmendi (-52 kg), Nora Gjakova (-57 kg), Distria Krasniqi (-48 kg), Loriana Kuka (-78 kg) dhe Akil Gjakova (-73 kg) janë brenda normës olimpike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Lisen Bashkurti Më 3 shkurt 2020, Kuvendi i Republikës…