KOK-u: Vendimi i  MKRS-së për pezullimin e Federatës së Karatesë ishte i ngutshëm

12 shtator 2023 | 15:50

Federatës së Karatesë së Kosovës i është pezulluar licenca të hënën nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Sipas njoftimit të MKRS-së, ministri Hajrulla Çeku ka aprovuar propozimin e Komisionit Vlerësues për Licencimin e Federatave Sportive për pezullim të licencës së kësaj federate. Sipas vendimit, veprimet e Federatës së Karatesë janë në kundërshtim me Ligjin për sport, Udhëzimin Administrativ për kushtet, kriteret dhe procedurat e themelimit, licencimit dhe rivlerësimit të federatave, si dhe Statutin e FKK-së. Komiteti Olimpik i Kosovës, në një përgjigje për “Klankosova.tv” e ka cilësuar si të ngutshëm këtë vendim.

“Mendojmë se pezullimi i licencës së Federatës së Karatesë së Kosovës, ka qenë pak i nxituar, sidomos për arsye se është bazuar në rekomandimin e komisionit për licencim, i cili ka theksuar se vetëm klubet e licencuara kanë të drejtë vote, gjë të cilën nuk mund ta përcaktojë ministria, por vetëm statuti i federatës dhe aktet normative të brendshme, të cilat e definojnë anëtarësimin”, thuhet në përgjigjen e KOK-ut. Ky komitet tutje potencoi se është me rëndësi që të mbrohet autonomia e federatës dhe të mos dëmtohen sportistët e karatesë.

“Duhet të jemi të kujdesshëm të ruajmë autonominë e federatave dhe vendimet e kuvendeve të tyre, si organe më të larta të federatës. Besoj se të gjitha palët do të reflektojnë dhe do të gjejmë një zgjidhje të përbashkët në koordinim FKK, KOK, MKRS, që sportistët e karatesë mos të dëmtohen, dhe njëkohësisht të mbrojmë autonominë e Federatës, duke respektuar aktet normative të federatave sportive ndërkombëtare dhe kartën olimpike. Gjithashtu, duhet të respektojmë edhe Udhëzimin Administrativ për Licencimin e Federatave, Ligjin për Sport dhe Ligjin e Asocimit të lirë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Suedia do t’u kërkojë forcave të saj të armatosura të…