Komisioni Evropian miraton ndihmën për Kosovën në vlerë 138 milionë euro

09 shtator 2020 | 14:16

Republika e Kosovës do të përfitojë mbi 138 milionë euro nga Bashkimi Evropian (BE), në kuadër të programeve IPA 2019 dhe IPA 2020.

Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën mbi 138 milionë euro asistencë për Kosovën, pas nënshkrimit të marrëveshjes nga palët.

“Nga kjo shumë, 50 milionë euro janë riprogramuar për t’i trajtuar pasojat sociale dhe ekonomike të krizës nga Covid-19 në afat të shkurtër dhe të mesëm. Do të përkrahen sektorët vijues: demokracia dhe qeverisja (përafrimi me BE), sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, mjedisi, veprimi klimatik dhe energjia, konkurrenca, inovacioni, bujqësia dhe zhvillimi rural, arsimi, punësimi dhe politikat sociale”, është thënë në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

BE-ja tani është në pritje të ratifikimit të këtyre marrëveshjeve nga institucionet e Kosovës në mënyrë që ta nisë zbatimin.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe përfaqësuesi special i BE-së, Tomas Szunyog, ka mirëpritur nënshkrimin e programeve vjetore të veprimit IPA 2019 pjesa II dhe 2020 për Kosovën.

“BE-ja ka punuar shumë për ta ri-programuar një pjesë të madhe të asistencës sonë për t’i përmbushur nevojat e njerëzve në Kosovë që janë prekur nga Covid-19. Përkrahja jonë do ta forcojë mbrojtjen sociale, do t’i përkrahë bizneset e vogla dhe do të ndihmojë në stabilizimin e financave publike. Unë u bëj thirrje institucioneve të Kosovës që tani t’i ratifikojnë këto programe sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Szunyog.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi holandez Memphis Depay ka arritur marrëveshje me Barcelonën. Fabrizio…