Komisioni i Garave bën inicim disiplinor ndaj Munishit e Statovcit

18 mars 2025 | 15:35

Komisioni i Garave ka bërë sot inicime disiplinore ndaj klubeve, zyrtarëve të klubeve, trajnerëve e lojtarëve, pasi i siguroi të dhënat nga materialet dhe shkresat e prezantuara, incizimet televizive, raportet e personave zyrtarë të FFK-së dhe nga mediat. Kështu, ky Komision vendosi të bëjë inicim disiplinor ndaj trajnerit Ismet Munishi, i cili u ndëshkua me karton të kuq në barazimin mes Dukagjinit dhe Dritës, në xhiron e 25-të të Superligës së futbollit.

“Në momentin e caktimit të gjyqtarit kryesor në këtë ndeshje, kryetrajneri i KF ‘Dukagjini’ , Ismet Munishi ka filluar fushatë publike, denigruese dhe kërcënuese në drejtim të tij në rrjetet sociale, ku më pas është shpërndarë në të gjitha mediat. I njëjti posa kanë arritur në stadiumin ‘18 Qershori’ në Klinë, gjatë inspektimit të fushës, para fillimit të ndeshjes fillon menjëherë me kërcënimet dhe sharjet në drejtimin të gjyqtarit kryesor. Në minutën e 42-të, pas shënimit të golit të mysafirëve vërsulet në drejtim të bankinës mysafire për t’u kacafytur me ta, shanë dhe ofendon në mënyrë të pakontrolluar për çka ndëshkohet me karton të kuq direkt, i njëjti nuk dëshiron të largohet nga fusha por me insistimin e stafit të KF Dukagjini dhe delegatit të ndeshjes e largojnë për në tribuna. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor dhe xhirimit televiziv në ndeshjen Dukagjini-Drita”, thuhet në njoftimin e Komisionit të Garave.

Gjithashtu, inicim disiplinor u bë edhe ndaj trajnerit të Rilindjes 1974, Faruk Statovci për ofendimet dhe kërcënimet ndaj gjyqtarëve në Ligën e Parë në ndeshjen ndaj Trepçës. Po ashtu inicime disiplinore u bënë edhe ndaj KF Llapit për lëshim në organizim të ndeshjes me Suharekën, për hedhje të mjeteve piroteknike dhe fyerjes së tifozëve. Edhe ndaj lojtarit të Llapit, Arbnor Ramadani për ndërhyrjen e ashpër me kokë ndaj lojtarit kundërshtar, me ç’rast u ndëshkua me karton të kuq. Në disiplinor përfunduan edhe lojtari i Ferizajt, Albion Kurtaj për shkak të goditjes me bërryl në fytyrë të lojtarit kundërshtar, si dhe ndaj zyrtarit të Rilindjes 1974, Shkëlqim Gashi për ofendimin ndaj gjyqtarit kryesor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori, studiuesi dhe poeti Agim Vinca sot ka reaguar ndaj…