Komuna e Kamenicës dhe FSK-ja organizojnë ushtrime simulante

07 nëntor 2019 | 15:06

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të organizojë disa ushtrime në këtë komunë. Këto ushtrime do të realizohen si simulime të gjendjeve emergjente në rast të ballafaqohemi me to.

Këto dy institucione kanë krijuar 11 situata të ndryshme simulative, të cilat do të realizohen nga 11 deri më 13 nëntor.

“Situata e parë do të nisë në shkollat e mesme në Kamenicë, me paramendimin se po ndodhë një termet 5.5 shkallë. Në këtë proces do të përfshihen dhe do të jenë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, Zjarrfikësit, Kryqi i Kuq, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, FSK dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim”, ka njoftuar Komuna e Kamenicës.

Sipas këtij njoftimi, drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim, Pajtesa Kryeziu, në një takim me të gjithë akterët ka ndarë përgjegjësitë dhe ka treguar në detaje se si do të realizohen këto ushtrime simulative.

Sipas saj, është shumë i rëndësishëm promovimi i zhvillimit të kapaciteteve për rastet emergjente.

Me këtë rast, drejtoresha Kryeziu ka apeluar te qytetarët të mos krijojnë panik nëse gjatë këtyre ditëve të parapërgatitjeve shohin FSK-në, policinë, zjarrfikësit e gjithë akterëve të tjerë. “Nga dita e premte do të fillojnë me përgatitjen e vendqëndrimeve (shtabeve të tyre) dhe e gjitha do të jetë vetëm për ushtrimet simulante”, ka thënë ajo.

Komuna e Kamenicës në oborrin e objektit të saj do ta ngritë qendrën e saj operative dhe emergjente.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkolla e Mesme Profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas është bërë…