Koncept dokumenti për konfiskimin e pasurisë ka dy rreziqe

14 prill 21:07

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka komentuar koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të miratuar nga qeveria.

Murati përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se në qasjen e këtij koncept dokumenti është shqetësuese krijimi i një agjencie e cila do të kishte të drejtë të konstatonte dhe konfiskonte atë që ajo e konsideron pasuri të paligjshme pa një procedurë penale gjyqësore.

Tutje Murati ka deklaruar se ky koncept dokument i ka i ka dy rreziqe.

“E para një mekanizëm i tillë mund të shndërrohet në një kërbaç disiplinues politik që kjo qeveri (por edhe ndonjë tjetër në të ardhmen) mund ta përdor kundër kritikuesve të saj e me rrezik për të shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut qoftë ato civile e politike por edhe ato socio-ekonomike dhe në anën tjetër krijimi i një mekanizmi shtesë shtetëror mund vetëm të shtojë mundësitë për më shumë korrupsion dhe komplikime në funksionimin e ekonomisë së tregut”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Lufta kundër korrupsionit kërkon fuqizim të sistemit të drejtësisë – krijimi i mekanizmave ekzekutiv mund të jetë problematik për demokracinë por edhe për vetë luftën kundër korrupsionit

Lufta kundër korrupsionit është një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të një shoqërie. Por kjo luftë, duhet pasur kujdes të mos shndërrohet në një mjet i pushtetit për të ndjekur kundërshtarët politik dhe për të disiplinuar e frikësuar oponentët. Qeveritë populiste parullën e luftës kundër korrupsionit e kthejnë në një nga mjetet me të cilën i godasin themelet e demokracisë dhe ndarjeve të pushtetit. Në këtë drejtim edhe ne duhet të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm si shoqëri. Qeveria në mbledhjen e fundit miratoi koncept dokumentin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme. Sot kryeministri përmes një deklarimi në Facebook sqaroi se cilat janë parimet e një ligji të mundshëm. Ajo që është shqetësuese në qasjen e këtij koncept dokumenti është krijimi e një agjencie e cila do të kishte të drejtë të konstatonte dhe konfiskonte atë që ajo e konsideron pasuri të paligjshme pa një procedurë penale gjyqësore. Nga nënteksti i kryeministrit nënkuptohej se reformimi i sistemit gjyqësor, përfshirë vetingun kërkon kohë, andaj duhet t’i biem shkurtë këtij procesi. Kjo i ka dy rreziqe. E para një mekanizëm i tillë mund të shndërrohet në një kërbaç disiplinues politik që kjo qeveri (por edhe ndonjë tjetër në të ardhmen) mund ta përdor kundër kritikuesve të saj e me rrezik për të shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut qoftë ato civile e politike por edhe ato socio-ekonomike dhe në anën tjetër krijimi i një mekanizmi shtesë shtetëror mund vetëm të shtojë mundësitë për më shumë korrupsion dhe komplikime në funksionimin e ekonomisë së tregut. Bizneset tona por edhe qytetarët nuk kanë nevojë për më shumë mekanizma shtetëror që do të ndërhyjnë në jetën e tyre, por për më shumë zbatim të ligjeve dhe sidomos funksionim të gjyqësorit. Kam bindjen e plotë, se sado e gjatë dhe e vështirë, nuk ka rrugë tjetër për luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit përveç përmes fuqizimit të sistemit të drejtësisë. Ndërtimi i mekanizmave të ndërmjetëm vetëm e komplikon procesin. Kështu fuqizimi i sistemit të drejtësisë i përcjellë me një kulturë politike që e lufton korrupsionin edhe në ekzekutiv (e kjo është obligim i çdo qeverie) do të krijonte edhe një klimë shoqërore shumë të pavaforshme për funksionimin e korrupsionit. Politikanët dhe qeveritë vizionare mendojnë edhe për periudhën kur nuk janë vetë në pushtet andaj punojnë të krijojnë ligje e politika që do të ishin të qëndrueshme edhe në planin afatgjatë. Kam shpresë se në procesin e debatit rreth ligjit, do të kemi një debat përmbajtjesor, e me ndërhyrje cilësore nga shoqëria civile, ekspertët ligjor por edhe nga partnerët ndërkombëtar në mënyrë që ligji i ri të jetë mekanizëm i dobishëm i sundimit të ligjit e jo i përdorimit të ligjit nga politika për interesa të veta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e futsallit FC Liqeni ka arritur ta fitojë Kupën…