Kongresmeni amerikan: SHBA ta mbështesë Kosovën

28 maj 2023 | 11:10

Edhe një kongresmen amerikan s’u pajtua me deklaratën e Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, që dënoi veprimet e institucioneve kosovare në veri gjatë të premtes kur u krijuan tensionet.

Pas, kongresmenit demokrat, Richie Torres, ka reaguar edhe Zach Nuun, i cili tha se vendi i tij duhet të qëndrojë me Kosovën dhe t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë.

“SHBA: Qëndroni me Kosovën, një demokraci të re dhe një aleat i palëkundur të SHBA-së – që pranoi dhe mirëpriti të evakuuarit afganë (një nga miqtë e vetëm europianë). Sekretari Blinken duhet t’i kundërvihet mobilizimit ushtarak të Serbisë”, ka shkruar ai në Twitter.

Me anë të një deklarate, Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.

“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata.

Kongresmeni amerikan, Richie Torres, ka shprehur zhgënjimin e tij me deklaratat e Departamentit amerikan të Shtetit në lidhje me ngjarjet e ditës së premte në veri të Kosovës.

Ai tha se Kosova është aleat i palëkundur dhe se ishte ndër vendet e para që pranoi refugjatët afganë për llogari të SHBA-së.

“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin shtete për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që pranoi. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar në Twitter, duke rishpërndarë deklaratën e Blinkenit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani KUSH JE TI SABAUDIN ZHUTA TË KËRKOSH LARGIMIN…