Konjufca dënon dhunën ndaj Sanduloviqit: Sulm ndaj mundësisë së pajtimit Kosovë-Serbi

05 janar 2024 | 12:05

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka dënuar ashpër dhunën që është ushtruar ndaj politikanit serb, Nikola Sanduloviq.

Konjufca, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë.

“E dënoj në mënyrën më të ashpër aktin e shëmtuar të dhunës brutale në Serbi ndaj politikanit Nikola Sanduloviq”.

“Nga raportimet e mediave dhe deklarimet e familjarëve dhe avokatit mësuam se z. Sanduloviq, i marrë nga policia e shërbimit sekret serb, është mbajtur dhe rrahur nga persona zyrtarë të këtij institucioni shtetëror, e më pas i është bastisur apartamenti. Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”.

Ai ka potencuar se ‘përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”.

“Duke i dëshiruar shërim sa më të shpejtë z. Sanduloviq, e duke uruar që ai të dalë edhe më i vendosur nga ky sulm i rëndë, i bëj thirrje edhe komunitetit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt dhe të ndërmarrë veprime frenuese të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”.

“Demokracia matet me elementet brendashtetërore, por edhe me krahasimet me vendet ku ajo tashmë është etabluar rrënjësisht. E në këtë kuptim, reagimi i vendeve demokratike kundrejt këtij akti të rëndë është tepër përcaktues”, ka shkruar Konjufca.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Emili Pelegrini njihet si modelja…