Konjufca iu drejtohet pjesëmarrësve në Samitin për Ballkanin Perëndimor në Bruksel

29 janar 2020 | 12:58

Parlamenti Evropian ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor. Kështu ka thënë kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës Glauk Konjufca, në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel.

Konjufca po merr pjesë në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili është duke u mbajtur në Bruksel.

Gjatë këtij Samiti, të organizuar dhe kryesuar nga presidenti i Parlamentit Evropian, David Maria Sassoli, përpos kryeparlamentarit Konjufca, po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefat e grupeve politike të Parlamentit Evropian, si dhe reporterët e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në punimet e këtij Samiti, ndër çështjet kryesore që po diskutohen janë: bashkëpunimi parlamentar dhe e ardhmja e Evropës, me theks të veçantë procesi i zgjerimit të saj.

Duke iu drejtuar pjesëmarrëseve të këtij Samiti, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Konjufca, pasi falënderoi presidentin Sassoli për iniciativën e mbajtjes së këtij Samiti, dhe përkushtimin e tij ndaj perspektives evropiane të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera theksoi: “Ne në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë rëndësinë e Projektit Evropian. Qysh prej përfundimit te luftërave të viteve 90, procesi i Integrimeve Evropiane e ka drejtuar shoqërinë tonë drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Shoqëria jonë ka ndërtuar institucione të pavarura, media pluraliste dhe shoqëri civile aktive”.

Në vijim të fjalës së tij, kryeparlamentari Konjufca, para të pranishmëve nënvizoi suksesin e procesit të zgjedhjeve në Kosovë, dhe u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit, Kosova së shpejti do të ketë edhe Qeverinë e re.

Duke folur për vendin tonë dhe sfidat që e përcjellin atë në rrugëtimin drejt integrimeve evropiane, kreu Kuvendit Konjufca ka thënë se Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian. “Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it”, ka thënë ai, duke shtuar se është shumë zhgënjyese për qytetarët e Kosovës ndjenja e të qenit të izoluar.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeparlamentari Konjufca, foli edhe për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se e kuptojmë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbetemi të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja. Lidhur me këtë, ai deklaroi se Qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ai po ashtu foli edhe për pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re.

Kryeparlamentari Konjufca, vlerësoi dhe tha para të pranishmëve se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.

Duke folur për zgjerimin e BE-së, përkatësisht integrimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se inkurajojnë hapjen e negociatave sa më parë të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. “Ne besojmë se Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë qellim”, është shprehur Konjufca.

Në fund të fjalës së tij, kryeparlamentari Konjufca ka falënderuar Parlamentin Evropian që ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor. “Unë plotësisht e kuptoj që nuk jemi në një kohë të lehtë për Evropën për të besuar në fuqinë e Unionit të zgjeruar, por, besimi në gjërat e duhura në kohëra të vështira është ajo që e dallon një përfaqësues shteti të guximshëm nga politikani oportunist”, ka vlerësuar Konjufca në Samitin e kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, bashkë me një pjesë të…