Kosova anulon pjesëmarrjen në Forumin Rajonal, shkak prezantimi i saj me fusnotë

26 nëntor 2018 | 14:51

Koordinatori Nacional për Mbrojte nga Dhuna në Familje, zëvendësministri Naim Qelaj, ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin Rajonal  “Promovimi dhe Implementimi i Konventës së Stambollit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi” që do mbahet në Shkup më 27 dhe 28 nëntor për arsye se organizatorët e këtij forumi, mbishkrimet e përfaqësuesve të Kosovës i ka vënë me fusnotë dhe rezolutën 1244, duke anashkaluar kështu mendimin e GJND-së dhe Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

“Më duhet t’ju njoftoj se unë nuk mund të marrë pjesë në konferencën rajonale që mbahet në Shkup pa emërtimin e plotë të institucionit që përfaqësoj dhe pozitës që mbaj. Me keqardhje ju njoftoj se më duhet ta anulojë konfirmimin tim për pjesëmarrje. Kjo përderisa nuk trajtohemi të barabartë me të tjerët. Pres nga organizatorët të veprojnë dhe të na mundësojnë pjesëmarrjen  tonë me evitimin e fusnotës ose të shënohet edhe mendimi i GJND së dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, është thënë në reagimin e koordinatorit Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në familje, Naim Qelaj.

Vendimi për mospjesëmarrje i Qelajt është përkrahur edhe nga përfaqësuesit e  shoqërisë civile, nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës  dhe nga KIPRED-i.

Nga Kosova në këtë forum është paraparë të marrin pjesë, përfaqësues të institucioneve të vendit si dhe shoqërisë civile, dhe ku do diskutohej, implementimi i Konventës së Stambollit në vendet e Ballkanit perëndimor dhe Turqisë,  veçanërisht për punën që po bëhet për mbrojtën  nga dhuna në familje.

Konferenca është organizuar nga Unioni Evropian, Këshilli i Evropës, UN Women, nën përkujdesjen e Qeverisë së Maqedonisë.

/Epoka e re/ 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtuar nga kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, të…