Kosova, bindëse ndaj Gjibraltarit

08 nëntor 2022 | 16:10

Përfaqësuesja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave ka shënuar fitore në hapje të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në Ligën B, duke mposhtur Gjibraltarin, me rezultat 7:0, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Dardanet” e morën situatën në duar që nga fillimi i ndeshjes dhe dominuan plotësisht lojën në të dy pjesët. Flondra Behrami u përkujdes t’ia siguroj epërsinë Kosovës në minutën e 5-të. E njëjta futbolliste e tundi sërish portën e mysafireve, në minutën e 18-të, pasi finalizoi pasimin nga Albulena Guri. Kjo e fundit konkretizoi një rast në minutën e 26-të duke e ngritur rezultatin në 3:0, në të mirë të Kosovës. Albulena Guri shënoi sërish tre minuta para se të përfundonte pjesa e parë, e cila u përmbyll me rezultat 4:0.

Dardanet vazhduan me paraqitje fantastike edhe në pjesën e dytë, ku shënuan edhe tre gola tjerë. Golin e radhës Kosova e gjeti nga një penallti e akorduar në minutën e 49-të. Elma Kadriu ishte e saktë në gjuajtjen e saj, duke e ngritur epërsinë në 5:0. Gjashtë minuta para se të përfundojë takimi, Erisa Popaj shtoi epërsinë në 6:0, derisa rezultatin përfundimtar e vendosi Vesa Paqarizi. Ndeshjen e radhës Kosova e luan kundër Bullgarisë, me 14 nëntor, nga ora 13:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Kosova ndaj Gjibraltarit luajti me këtë përbërje: Alma Demiri, Vanesa Nushi, Gresa Berisha, Kreshnike Ramaja, Melisa Berisha, Erletë Shabiu, Vesa Paqarizi, Elma Kadriu, Rreze Gashi, Flondra Behrami dhe Albulena Guri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro Ligjit për…