Kosova dëshiron vetëm fitore në “Fadil Vokrri”

10 shtator 2018 | 11:27

Kosova sonte e zhvillon ndeshjen e parë në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe po të parën në shtëpi në kuadër të Ligës së Kombeve, prandaj “Dardanët” në përballjen me Ishujt Faroe dëshirojnë t’i marrin tri pikë. “Jemi ekipi më i mirë në grup dhe duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Ndaj Ishujve Faroe luajmë vetëm për fitore. Do të përpiqemi të paraqitemi mirë jo vetëm të hënën, por edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Bernard Challandes.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll e ka opsion vetëm fitoren në ndeshjen kundër Ishujve Faroe në kuadër të Ligës së Kombeve. Kjo ndeshje do të zhvillohet sonte (e hënë) në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:45, kurse përfaqësuesja pritet të ketë përkrahje jashtëzakonisht të madhe për faktin se luan në Prishtinë pas një kohë të gjatë dhe ndeshja ka rëndësinë e madhe, sepse mund ta dërgojë Kosovën drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian.

Trajneri i “Dardanëve”, Bernard Challandes, ka thënë se Kosova e ka ekipin më të mirë në grupin e saj dhe se duhet t’i fitojë të gjitha ndeshjet. “Jemi ekipi më i mirë në grup dhe duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet. Ndaj Ishujve Faroe luajmë vetëm për fitore. Do të përpiqemi të paraqitemi mirë jo vetëm të hënën, por edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Bernard Challandes, duke bërë me dije se do të këtë ndryshime edhe në formacion. “Do të ketë ndryshime në formacion krahasuar me ndeshjen ndaj Azerbajxhanit. Besar Halimi është i gatshëm për të luajtur, por nuk e konfirmoi pjesëmarrjen në formacion një ditë më parë. Presim ndeshje tjetër për dallim me atë ndaj Azerbajxhanit. Presim lojë me pasime të shpejta dhe sulme”, ka shtuar ai. Trajneri zviceran në konferencën për medie ka konfirmuar se mbrojtësi Kastriot Dërmaku është larguar nga përfaqësuesja për arsye personale.

Ndërkaq kapiteni Samir Ujkani ka ripërsëritur edhe një herë se Kosova kërkon fitore për ta nderuar legjendën e futbollit shqiptar, Fadiul Vokrri. “Do të luajmë për ta nderuar emrin e legjendës, Fadil Vokrri. Atmosfera është e mirë dhe lojtarët janë të gatshëm për ta dhënë maksimumin”, ka thënë ai.

Për ndeshjen ndaj Kosovës ka folur edhe trajneri i Ishujve Faroe, Lars Olsen, i cili ka thënë se nuk do të jetë ndeshje e lehtë, pasi Kosova ka ekip të mirë dhe do ta ketë përkrahjen e madhe të publikut. “Vijmë këtu pas një fitoreje kundër Maltës, e cila shfaqi lojë të mirë. Kosova ka ekip të mirë. Ajo ka mbetur baras me Azerbajxhanin. Nuk do të jetë e lehtë, pasi kundërshtari do të luajë para publikut të vet e, sa kam dëgjuar, në stadium do të jenë 12 mijë deri në 13 mijë adhurues. Këtë mbështetje do ta ndiejnë edhe futbollistët në fushë”, ka thënë Olsen, duke shtuar: “Ne jemi takuar në Frankfurt me Kosovën, ku humbëm 2-0, por ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk e di a janë ende ata lojtarë pjesë e saj, pasi nuk kam njohuri për përbërjen. Ndonëse në grupin tonë Kosova është favorite në letër, unë mendoj se kemi grup shumë të baraspeshuar dhe nuk ka favoritë absolutë. Ne kemi pritur gjatë për këtë dhe do të orvatemi të bëjmë më të mirën dhe ndeshjet në shtëpi janë mjaft të rëndësishme”.

Përfaqësuesja e Kosovës bën pjesë në Ligën D, Grupin 3. Të premten në Baku ajo mori një pikë nga ndeshja kundër Azerbajxhanit.

/Veton ZYMBERI/  

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Militantët talibanë është raportuar të kenë vrarë dhjetëra forca të…